E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre në garë, por Martini është favorit për të marrë Vllazninë

Edi Martini duket se është kandidati kryesor për të marrë stolin e Vllaznisë për pjesën e mbetur të sezonit. Lajmi është bërë i njohur dje pasdite nga burime të besueshme pranë klubit kuqeblu, i cili në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës vendosi për shkarkimin e ish-trajnerit Rolan Luçi me motivacionin për "rezultatet të dobëta".
Ka spekulime që ish-lojtari i njohur shkodran mund të jetë trajneri i ri i skuadrës shkodrane. "Për sa i përket Vllaznisë, vetëm Edi Martini është kandidati më favorit për të zënë vendin bosh në pankinën shkodrane", u shpreh burimi ynë, i cili më pas shtoi edhe një detaj shumë interesant: "Drejtuesit e Vllaznisë nuk duan ta bëjnë zyrtar një gjë të tillë për momentin, gjë që duket se do të shtyhet për ditët e ardhshme". Që prej disa kohësh, presidenti i klubit kuqeblu, Valter Fushaj, ka dashur që Edi të jetë trajner i Vllaznisë. Emri i ish-futbollistit ka qarkulluar dhe para emërimit të Luçit. Por meqë ai kishte një pozicion tjetër në një klub shqiptar, nuk mundi të ishte i disponueshëm për skuadrën e tij të zemrës. Tani është gjithçka e hapur. Mendohet se stafi i Vllaznisë është në kontakte e sipër me Martinin, me të cilin përflitet se po diskuton për detajet e një kontrate të mundshme, që do ta lidhë me klubin për pjesën e mbetur të sezonit. Ish-sulmuesi i mirënjohur shkodran ka dhënë prova për aftësitë drejtuese, duke punuar në krye të Kombëtares shqiptare të minifutbollit, por edhe te Luftëtari e Laçi. Madje, gjatë sezonit të kaluar, 34-vjeçari i dhuroi kësaj skuadre titullin kampion në Kategorinë e Parë dhe ngjitjen në Superiore, por u largua ende pa filluar sezoni për shkak të problemeve personale. Aktualisht, ai është pjesë e skuadrës së Vllaznisë në kampionatin e minifutbollit, ku vazhdon të shfaqë "nuhatjen" karakteristike përpara portës. Gjithsesi, për momentin askush nuk ka dalë të hedhë poshtë edhe kandidaturat e tjera, atë të ish-trajnerit të Flamurtarit, Eqerem Memushi, por edhe ajo e ish-teknikut të Apolonisë, Esad Karishik. Dita e djeshme, e ndikuar edhe nga festa e Krishtlindjeve, nuk ka prodhuar shumë ngjarje, por në ditët e ardhshme priten të reja në këtë drejtim.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›