E Shtunë, 31 Tetor 2026

Capello gaboi me Walcottin

Nga Express më 29 janar 2011 në ora 12:05

Fabio Capello ka pranuar se kishte gabuar që la Theo Walcottin jashtë ekipit të Anglisë për Kampionatin botëror 2010. Sulmuesi i Arsenalit, Walcott, ishte anëtar i skuadrës gjatë fushatës kualifikuese, por befasishëm nuk u ftua në emëroren përfundimtare të 23 futbollistëve.

Anglia u eliminua në rrethin e dytë të garës pas vështirësive të kualifikohej nga grupi i saj në Afrikën e Jugut. Tani ish trajneri i Milanit, i Romës, i Juventusit dhe i Real Madridit ka pranuar se Walcott është dashur të përfshihej në ekip.

“Ai është duke luajtur tani dhe më kujtohet kur filloi të luante me ne. Ishte vendim i vështirë për ta lënë Theon jashtë Kampionatit botëror. Ai ishte njëri prej atyre futbollistëve për të cilët kam menduar shumë pas Kampionatit botëror. Kam gabuar që nuk e kam ftuar. Ai është njëri prej atyre futbollistëve që mund të bëjë dallimin. Është dashur ta ftoja”, tha Capello.

Strategu italian, përveç Walcottit, ka folur edhe për mesfushorin e ri të Arsenalit, Jack Wilshere, duke e krahasuar me ish reprezentuesin francez Claude Makelele.

“Wilshere është më i mirë teknikisht se Makelele. Ai është më i ngadalshëm se Makelele, por kur pranon topin është më i rrezikshëm se Makelele. Ai është futbollisti më i mirë i ri”, përfundoi Capello.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›