E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblehet Stoudemire

Me paraqitjet e tij të shkëlqyeshme në sezonin e parë te New York Knicks, Amar’e Stoudemire është votuar titullar në ekipin e Konferencës Lindore për ndeshjen All Star në NBA. Për bashkëlojtarë në pesëshen e parë do të ketë edhe Derrick Rose, LeBron James, Dwayne Wade, dhe Dwight Howard. Skuadra e Perëndimit përbëhet nga: Kobe Bryant, Chris Paul, Kevin Durant, Carmelo Anthony dhe Yao Ming. Nga Express më 29 janar 2011 në ora 12:08

New York Knicks nuk kanë pasur arsye për të festuar për gati dy dekada deri të premten, kur Amar’e Stoudemire u emërua si titullar për ekipin e Konferencës Lindore në NBA All Star Game, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm në Staples Center në Los Angeles.

Në sezonin e tij të parë në New York, pas transferimit nga Phoenix në verën e shkuar, Stoudemire ka marrë rolin e liderit të ekipit me mesatare prej 26 pikëve e 9 kërcimeve për ndeshje. Si rezultat, tifozët e votuan atë para Kevin Garnett për 267,394 vota.

Kjo është hera e parë që një basketbollist nga Knicks është emëruar si titullar prej kur Patrick Ewing u votua për ndeshjen e mesit të sezonit 1992. “Është nder i madh për mua”, tha Stoudemire, i cili është emëruar All-Star për herë të gjashtë dhe të tretën si titullar në karrierën e tij tetëvjeçare.

“Mendoj se fakti më i rëndësishëm është se tifozët janë dëshmitarë të suksesit që jemi duke arritur. Mendoj se pjesa më e rëndësishme që jam titullar në All-Star janë rezultatet e mira të ekipit”, shtoi ai.

Përveç Stoudemire, në ekipin e Lindjes do të jenë edhe dy yjet e Miami Heat, LeBron James u cili moti 2.053,011 vota dhe Dwayne Wade (2,048,175), MVP i All Star Game nga sezoni i kaluar, i cili u përzgjodh si titullar së bashku me Derrick Rose nga Chicago Bulls (1,914,996), i cili do të paraqitet për herë të parë. James dhe Wade janë çifti i parë i bashkëlojtarëve që do të fillojnë një All Star ndeshje, prej kur Wade dhe Shaquille O’Neal përfaqësuan Heat më 2007 në Las Vegas.

Në pozitën e qendrës do të jetë Dwight Howard, i cili udhëhoqi titullarët e Lindjes me 2.099,204 vota. Në Perëndim, Kobe Bryant nga Los Angeles Lakers ishte basketbollisti më i votuar në përgjithësi me 2.038,016 vota dhe siguroi paraqitjen e 13-të me radhë në një ndeshje All Star.

Chris Paul nga New Orleans Hornets (1,281,591), realizatori më i mirë i ligës Kevin Durant nga Oklahoma City Thunder (1,736,728), Carmelo Anthony nga Denver Nuggets (1,299,849) dhe qendra kineze, Yao Ming nga Houston Rockets (1,145,426) janë titullarët e tjerë.

Por, Yao, i cili është paraqitur në vetëm pesë ndeshje të këtij sezoni pas operacionit në nyjën e këmbës, muajin e kaluar, do të zëvendësohet nga përzgjedhja e komisionarit të ligës, David Stern, pas emërimit të rezervistëve.

New York mposht Miamin

New York Knicks kanë mposhtur Miami Heat me rezultat 93-88. Knicks u udhëhoqën nga Amar’e Stoudemire, i cili realizoi 24 pikë, ndërsa te Heat nuk mjaftuan 34 pikët e Dwayne Wade. Boston Celtics fitoi si mysafir i Portland Trail Blazers 88-78, ndërsa Dallas Mavericks mposhti Houston Rockets 11-106.

New York-Miami 93-88
New York: Stoudemire 24
Miami: Wade 34

Portland Blazers-Boston Celtics 78-88
Portland: Aldridge 17
Boston: Allen 18

Dallas Mavericks-Houston Rockets 111-106
Dallas: Chandler 21
Houston: Scola 30

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›