E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi Amerikan: Berisha e ndryshoi Shqipërinë



Komiteti i Helsinkit në Kongresin Amerikan vlerëson ndryshimet që ka pësuar Shqipëria nën qeverisjen e Kryeministrit Sali Berisha dhe shpreh besimin se shqiptarët do të votojnë të lirë më 28 qershor. KAH-ja organizoi dje një seancë të posaçme për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare 2009 me temë “Zgjedhjet në Shqipëri dhe sfida e tranzicionit demokratik”. Kongresmeni Eliot Engel i njohu të pranishmit me ndryshimet e mëdha që ka pësuar Shqipëria gjatë mandatit të Kryeministrit Berisha, ndërsa kongresmeni Robert Aderhold u bëri me dije të ftuarve përshtypjet e tij mahnitëse nga vizita në Shqipëri. Ata informuan KAH-në me ndryshimet që ka pësuar Shqipëria gjatë qeverisjes së z. Berisha dhe vlerësuan arritjet e saj, ndër të cilat më kryesorja anëtarësimi në NATO. “Unë kam qenë disa herë në Shqipëri, - tha z. Engel, - por ndryshimet gjatë vizitës së fundit ishin të mahnitshme. Pashë rrugën Durrës-Kukës, këtë vepër gjigande të qeverisë “Berisha” dhe mbeta i mahnitur nga madhështia e saj”. Më pas ai u ndal në punën që po bëhej nga qeveria shqiptare për procesin zgjedhor, reformën bipartizane, konsensusin e gjerë për të arritur në këtë reformë dhe, së fundi, për çështjen e pajisjes së shtetasve shqiptarë me letërnjoftime. Kongresmeni Engel u ndal në detaje tek procesi i aplikimit për letërnjoftimet elektronike dhe shprehu besimin dhe bindjen se shtetasit shqiptarë, të cilët duan të votojnë, kanë tashmë në duar letërnjoftimet e tyre dhe të gjithë shtetasit që duan të aplikojnë, do ta kenë mundësinë ta kenë këtë dokument brenda datës së zgjedhjeve. Në përfundim, z. Engel u shpreh shumë pozitivisht për të ardhmen e Shqipërisë, sfidat e saj integruese dhe vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria si një bazë e sigurt për një integrim të shpejtë evropian. Më pas, fjalën e mori kongresmeni Robert Aderhold, i cili u bëri me dije të ftuarve përshtypjet e tij mahnitëse nga vizita në Shqipëri. Z. Aderhold vlerësoi reformat politike, ekonomike dhe sociale të Kryeministrit Berisha dhe u shpreh i bindur për suksesin e tyre. Po ashtu, z. Aderhold vlerësoi rrugën Durrës-Kukës si një arterie për zhvillimin e rajonit të Ballkanit. Ai u shpreh se me reformat e ndërmarra, rruga drejt së ardhmes është e sigurt. Lidhur me procesin zgjedhor, kongresmeni Aderhold u shpreh i bindur për përpjekjet e qeverisë për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Ai vlerësoi procesin e pajisjes së shtetasve me letërnjoftim dhe shprehu besimin se të gjithë shtetasit që duan të ushtrojnë të drejtën e votës, do të jenë të lirë të bëjnë diçka të tillë. Kurse në fjalën e tyre, përfaqësuesi i NDI-së, Robert Benjamín dhe ai i Open Society Institute, Jonas Rolett, u ndalën kryesisht në çështjet që lidheshin me zhvillimin e shoqërisë civile, median etj. Ata u ndalën në suksesin e programeve të tyre në Shqipëri lidhur me shoqërinë civile. Për sa u përket zgjedhjeve parlamentare 2009, ata vlerësuan rëndësinë e tyre për stadin demokratik të Shqipërisë dhe si një bazë solide në rrugën e proceseve integruese. Paneli drejtohej nga kryetari i këtij komiteti, kongresmeni Alcee Hasting, dhe të ftuar për të folur për zgjedhjet parlamentare 2009 ishin: kongresmeni demokrat Eliot Engel, kongresmeni Robert Aderhold, Drejtori Rajonal për Evropën dhe Azinë i “Zërit të Amerikës”, Elez Biberaj, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Lindore i NDI-së, Robert Benjamin, si dhe Drejtori Rajonal për Evropën Qendrore dhe Jugore i institutit “Shoqëria e Hapur”, Jonas Rolett. Në fjalën e tij hyrëse, kongresmeni Hasting tha se mbajtja e kësaj bisede kishte rëndësi të madhe për zgjedhjet parlamentare 2009, sepse ato janë një test i rëndësishëm për demokracinë shqiptare dhe se është në objektivin e punës së këtij komisioni të pasqyrojë dhe të debatojë për evenimente të tilla politike. Të ftuarit në panel vlerësuan zgjedhjet parlamentare dhe mbi të gjitha rolin e qytetarëve shqiptarë në këto zgjedhje, si një element të rëndësishëm për të treguar standarde demokratike të një vendi anëtar të NATO-s.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›