E Diel, 1 Nëntor 2026

Më 28 qershor votojnë 3.084.067 zgjedhës



Lista përfundimtare e zgjedhësve tashmë është afishuar dhe sipas Ministrisë së Brendshme, më 28 qershor do të votojnë 3.084.067 zgjedhës shqiptarë. Një muaj para ditës së zgjedhjeve, Ministria e Brendshme bëri me dije se lista tashmë është gati. Në një komunikim për mediat, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, tha se çdo qytetar mund të klikojë në sitin e Ministrisë së Brendshme për të konfirmuar emrin e tij në listën përfundimtare të zgjedhësve. Poni garantoi se lista është tërësisht transparente, madje shtoi se çdo parti politike mund ta ketë në dispozicion listën e plotë të votuesve. “Gjithkush mund të verifikojë fare lehtë emrin e tij në listën përfundimtare të zgjedhësve. Në më pak se një sekondë në kërkim shfaqen të dhënat e zgjedhësit dhe përbërësit zgjedhorë”, - tha zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, pas përpunimit të informacionit dhe vendimmarrjes të të gjithë kryetarëve të njësive vendore, ka vënë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve listën përfundimtare të zgjedhësve, numrin e zgjedhësve për çdo njësi vendore, numrin e qendrave të votimit dhe adresat e tyre përkatëse, si dhe numrin e zgjedhësve për çdo qendër votimi. Në zgjedhjet e datës 28 qershor, 3.084.067 do të jetë numri i qytetarëve shqiptarë që kanë mbushur moshën për të votuar në këtë zgjedhje. “Ne sot (dje) pas disa veprimeve, dërgesave në regjistër dhe pasqyrimit të të gjitha veprimeve dhe vendimmarrjes së kryetarëve në të dhënat nga listat paraprake në listat përfundimtare, rezulton që numri total i zgjedhësve sipas vendimmarrjes së kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore në listën përfundimtare është 3.084.067 zgjedhës, dhe numri total i qendrave të votimit në Shqipëri është 4812 qendra”, - tha Poni. Zëvendësministri bëri me dije se i gjithë informacioni do të jetë i pranishëm në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme si dhe do t’i dërgohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Ky material do t’i kalojë faqes zyrtare të ministrisë për listën përfundimtare dhe gjithashtu do t’i transmetohet dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Lista e qendrave të votimit, adresa e qendrave të votimit, numri përfundimtar i zgjedhësve për çdo qendër votimi dhe vetë lista e zgjedhësve për çdo qendër votimi në Shqipëri”, - informoi më tej zëvendësministri i Brendshëm. Sipas të dhënave, Tirana është qarku me më shumë qendra votimi, me plot 824 të tilla, i ndjekur pas nga Elbasani me 557, ndërsa Kukësi ka numrin më të vogël të tyre, me 226 të tilla.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›