E Diel, 1 Nëntor 2026

“Carmina Burana, vepra biblike me muzikë pagane”

Intervistë/ Flet regjisori dhe koreografi Arian Sukniqi

Petrika GROSI
“Carmina Burana” quhet shfaqja më e fundit që vjen në trajtën e një muzikali, me aktrim, korr dhe balet modern, të ndërthurura me njëra-tjetrën, ç’ka e bën këtë pjesë shumë më të dashur dhe tërheqëse për të gjitha moshat. Regjisori dhe koreografi Arian Sukniqi tregon në intervistën e dhënë për gazetën “Albania” më tepër detaje mbi risitë që sjell për herë të parë me këtë vepër, por edhe për rikthimin e tij në skenë pas disa kohësh mungese.

Pas kaq kohësh pushim riktheheni me një shfaqje të përmasave të mëdha siç është “Carmina Burana” në TKOB. Pse kjo mungesë?
Kam gati një vit e gjysmë që jam pa punë. Siç duket nuk kam gjetur mundësitë megjithëse kam pasur rezultate dhe jam munduar të bëj diçka të mirë. Me fitimin e projektit në fjalë dhe miratimin e tij nga bordi i Teatrit të Operas dhe Baletit, do të realizojmë një shovv të vërtetë, të cilin të gjithë spektatorët do ta shohin se do të jetë diçka ndryshe.

ǒmund të na thoni si regjisor dhe koreograf i kësaj shfaqje?
Deri në vitet ’90 kjo vepër është paragjykuar dhe ndaluar të rivihej në skenë, ndërsa tashmë është bërë pjesë e repertorit bazë të teatrove më prestigjoze. Është një vepër ku çdo gjë lidhet me fatin, por që fati të vijë gjithmonë duhet ta kërkosh atë, e përkthyer ndryshe “duhet të punosh shumë, që fati pastaj të jetë me ty.” Është një trill filozofik i njeriut, që në çdo moment kërkon fatin dhe tringun e dashurisë. Në jetën që të gjithëve na i ka dhënë Zoti, edhe sipas Biblës, dashurinë çdo njeri duhet ta kërkojë dhe ta provojë e shijojë atë, përndryshe është fajtor dhe në botën e përtejme, destinacioni nuk është Parajsa, sado mirë që të kesh bërë në jetë. Muzika e shfaqjes është pagane. Pra kemi motive biblike dhe muzikë pagane. Autori Karl Orf e ka shkruar pjesën “Carmina Burana” në vitin 1936. Ai ka marrë shumë pjesë të muzikave kishtare dhe i ka përpunuar për t’i sjellë në skenë jo vetëm kompozimin, por edhe harmoninë, formën e përmbajtjen e veprave për ti bërë skenike. Është një muzikë shumë e fuqishme që në vetvete mbart një spirale, e cila kalon të gjitha fazat e një qenie njerëzore në jetë. Por mbi të gjitha, mbart frymë optimiste dhe të shtyn në rastin konkret që të kërkosh fatin. Jo më kot të gjithë shpesh themi: “Paç fat!”.

Thatë se do të jetë një shfaqje e veçantë. Cilat janë gjetjet tuaja regjisoriale e koreografike që e bëjnë të tillë?
Është një balet kontemporan. Më vjen mirë që Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, edhe disa herë të tjera është treguar i hapur për gjinitë moderne, të operas, muzikalet dhe baletin. Në të gjithë botën operat më të mëdha si ato të Parisit, Londrës, Hollandës, Spanjës, etj., ndjekin përvoja të kësaj natyre.
Pjesa regjisoriale, koreografia, shkrirja mes baletit, korrit dhe elementeve të tjera, duke i bërë të gjitha protagoniste dhe duke mos e veçuar vëmendjen te asnjëra prej tyre, bëhet për herë të parë për këtë vepër. Si koncept bazë shfaqja do të zhvillohet në formën e një musicali nën një gjuhë koreografike me dominancë neo klasike. Për t’u theksuar është se përveç trupës së baletit të gjithë pjesëmarrësit do të jenë aktorë, jo vetëm kori (në momente të caktuara në partin e tij), por edhe me mizansenat ndihmëse për zbërthimin e situatave.

Cili është grupi juaj i punës?
Trupa e Teatrit të Operas dhe Baletit, e cila me shumë përkushtim po mundohet ta përballojë sëbashku me ne këtë shfaqje. Është një kast shumë i mirë artistësh, që nëse do të vazhdojnë të ushqehen sistematikisht mund të jenë kompetitivë pa asnjë lloj frike në të gjitha skenat e botës.

Vepra vë në qendër fatin dhe kërkimin e tij, ndërkohë që ju vetë duket se nuk keni pasur shumë fat kohët e fundit. Pra, si ndihet një artist me zhvillimet në mjediset aktuale shqiptare dhe si është të jesh drejtues në institucionet kryesore të kulturës?
Sa i përket fatit, nuk duhet t’i shkojë askërkujt ndërmend që unë pushoj së kërkuari. Siç duket e paskam luftën shumë më të fortë me të keqen dhe pengesat. Ndoshta ka ndikuar dhe politika, nuk e di. Unë nuk jam përzierë me asnjë formacion politik në jetën time, por në Shqipëri ka një problem shumë të madh, pasi kur një drejtues ndërrohet, duhet të ndryshohet i gjithë stafi. I bie që artistët katër vjet të bëjnë punë e katër vjet pushime. Një bindje ndaj eprorëve bën që në anën tjetër të vishesh me ngjyrë të kuqe, rozë, jeshile, blu, a ku di unë se çfarë, dhe për pasojë, etiketohesh si kundërshtar ndonëse nuk ke lidhje me asnjë grupim por je thjesht një artist që bën punën e tij. Artistët nuk mund të nxirren kështu papritur në sheshin Partizani, pa marrë parasysh asnjë kontribut dhe vlerë të tyren... Është vështirë të jesh artist dhe të mbijetosh sot me artin pasi askush nuk shikon vlerat e mund të flakesh në çdo moment në mes të katër rrugëve.

Historia e Carmen Burana

Libreti i Carmina Burana është një përmbledhje poezish të gjetura në një dorëshkrim të shekullit të XIII, i ardhur nga kuvendi Benediktbeuern. Termi Carmina Burana u zgjodh nga studiuesi Johann Andreas Schemeller në 1847 me rastin e publikimit të parë të dorëshkrimit. Një kod i tillë përfshin 315 vepra poetike mbi 112 fletë pergameni të zbukuruar me miniatura. Mendohej që të gjitha poezitë ishin të destinuara për t'u kënduar, por deri më sot është mundur te ndërtohet ecuria melodike vetëm e 47 prej tyre. Më 1937-n, kompozitori gjerman Carl Orff muzikoi disa pjesë të Carmina Burana, duke realizuar një opera me të njëjtin emër për orkestër, kor e tre solistë. Orff zgjodhi të krijonte një muzikë të re, ndonëse në dorëshkrimin origjinal gjendej një gjurmë muzikore për disa prej tyre. Në fillim muzika e Carmina Burana u kritikua dhe u dënua si “muzikë e degjeneruar” por në vazhdim, më vonë, kjo vepër edhe për frymën e saj jetësore (të gjallë) që fërfëllon përgjatë gjithë partiturës u prit me entuziasëm nga regjimi nazist si një kremtim i “kulturës ariane”. Koha largoi çdo dyshim mbi ideologjinë dhe ia dhuroi këtë kryevepër të padiskutueshme publikut të gjerë. Kompozimi sot është pjesë e repertorit klasik ndërkombëtar dhe disa nga momentet e tij si “O Fortuna”, janë përdorur si kolonë zanore në shumë filma si “Excalibur”, “Il Presagio”, “The Doors” etj. Carmina Burana e Carl Orff ka joshur shumë koreografë të 900-ës, nga Mary VVigman tek John Butler. Ndryshe nga versioni koncertor, versioni i koreografuar është menduar për të pasuruar dinamikën e fortë të tingullit të Orff me motive të reja dinamiko-koreorafike duke u frymëzuar nga e njëjta punë që Orff bënte në shkollën e themeluar prej tij duke bashkuar në një muzikën, veprimin dhe këngën.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›