“To Vima”: Propozimi përfundimtar për emrin, “Maqedonia Veriore”
Ndërmjetësi i bisedimeve ndërmjet Athinës dhe Maqedonisë, Methju Nimiç do të paraqesë propozimin përfundimtar për emrin në fillim të tetorit. Kështu shkruante dje gazeta greke “To Vima”, sipas së cilës propozimi i fundit ka të bëjë me emrin “Maqedonia Veriore”.
Propozimi i diplomatit amerikan do të bazohet në paketën e ideve, që do t’ua parashtrojë së shpejti të dy palëve, shkruan gazeta.
“To Vima” shkruan se në takimin me ministren greke të Punëve të Jashtme, Dora Bakojanis në Nju Jork, Nimiç ka sqaruar se mosmarrëveshja për emrin nuk ka të bëjë me çështje politike, por me çështje të identitetit të shtetit. Gazeta, duke u referuar burimeve të besueshme, shkruan se në bisedimet e planifikuara në fillim të tetorit me të dyja palët, Nimiç do të propozojë me siguri emrin “Maqedonia Veriore”. Sipas “To Vima”-s, diplomatët grekë janë të shqetësuar se edhe nëse gjendet zgjidhje për emrin, qeveria e Nikolla Gruevskit nuk do të ndalet për parashtrimin e çështjes së pakicës maqedonase në Greqi dhe për dëmshpërblim të maqedonasve të dëbuar nga ky vend.
Fratini: “BE-ja nuk do të votojë pro nismës serbe”
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini deklaroi se vendet e Bashkimit Europian me siguri do të përmbahen dhe nuk do të votojnë pro nismës serbe gjatë votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Fratini i referohet vendimit që OKB-ja do të marrë lidhur me nismën e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Hagës të vlerësojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. “Besoj se abstenimi është zgjidhje e mirë”,- tha ai pas takimit me shefin e diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç. Vendimi në Asamblenë e OK-së do të merret më 8 tetor, dhe Serbia pretendon se ka siguruar votat e nevojshme. Ndërsa presidenti Sejdiu është kthyer në Kosovë me bindjen se delegacioni kosovar ka bërë punën e duhur. Pro nismës serbe është dekaruar Spanja. Sipas ministrit të Jashtëm të këtij vendi, secilit shtet i duhet dhënë e drejta për t’iu drejtuar Gjykatës nëse mendon se çështjet duhet të zgjidhen sa më drejt.
30 Shtator 2008