E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, shqyrtohet plani për nxjerrjen e financave nga kriza



Dhoma e ulët e Kongresit amerikan ka debatuar dje para votimit për planin shpëtues financiar prej 700 miliardë dollarësh i cili mendohet të nxjerrë vendin nga kriza. Me këtë rast Presidenti Xhorxh W. Bush i bëri thirrje Dhomës të aprovonte planin e hartuar për t’i dhënë fund krizës kreditore dhe për t’i dërguar sinjal të fortë bursave. Zhvillimi vjen pasi banka e katërt më e madhe në SHBA, Wachovia, bëri të ditur se po blihej nga grupit tjetër rival, Citigroup. Në Europë, gjigandi bankar Fortis është shpëtuar gjithashtu nga bashkëpunimi i tre qeverive. Edhe në Britani, banka Bradford & Bingley është shtetëzuar. Rezerva Federale amerikane, Banka qëndrore Europiane dhe tetë banka të tjera qëndrore po përpiqen të përballojnë krizën financiare duke ofruar edhe 330 miliardë dollarë të tjera për tregjet globale financiare. Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan Bush tha se plani amerikan i shpëtimit ishte një plan i guximshëm që sipas tij do të rivendoste fuqinë dhe besimin te ekonomia amerikane. Por, ai paralajmëroi se ky plan nuk do të shpëtonte Amerikën nga të gjitha problemet ekonomike. Marrëveshja, megjithatë duket se nuk ka bërë shumë në drejtim të qetësimit të bursave globale e tregjeve financiare që përsëri shënuan rënie dje. Shumica e demokratëve në Kongres shpresojnë që marrëveshja e arritur me Administratën Bush për nxjerrjen nga kriza të institucioneve financiare të vendit të miratohet shpejt. Ligjvënësit nga të dy partitë politike amerikane u takuan para dy ditësh për të shqyrtuar hollësitë e ligjit që do t’i parashtrohet për votim Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit këtë javë. Miratimi varet në se ligji do të mbështetet nga numri i duhur i republikanëve në Dhomën së Përfaqësuesve, gjë që nuk është e sigurt. Plani parashikon që qeveria të shpenzojë 700 miliardë dollarë për të blerë aksionet e çvleftësuara të mbështetura nga huatë e shtëpive dhe pasuri të tjera të firmave financiare me probleme të vështira. Megjithatë, Kongresi do t’i japë fondet me faza: 250 miliard dollarë menjëherë, 100 miliard pasi ligji të firmoset nga Presidenti Bush dhe 350 miliard dollarë kur ligjvënësit ta miratojnë atë përfundimisht. Një bord mbikqyrës, ku do të bëjë pjesë edhe Kryetari i Rezervës Federale, banka qendore amerikane, do të mbajë nën kontroll procesin dhe do t’i raportojë Kongresit. Do të merren gjithashtu masa për të parandaluar që amerikanët të humbasin shtëpitë dhe taksapaguesit të kenë pjesën e tyre në fitimet e firmave financiare.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›