Partia opozitare kryeson ngushtë ndaj partisë në pushtet
Mbështetja për partinë opozitare bullgare GERB ka rënë në shtator, duke ngushtuar kryesimin e saj ndaj partisë socialiste në pushtet. Sondazhi i “Gallup International” tregoi se popullariteti për partinë e krahut të djathtë GERB të kryetarit bashkisë së Sofjes, Boiko Borisov ka rënë me 1.8 pikë, përkatësisht në 25 për qind në shtator në krahasim me një muaj më parë. Pavarësisht nga një rritje e vogël, mbështetja për socialistët vazhdon të jetë në 19 për qind në shtator.
EGJIPT
Lirohen 11 turistët europianë dhe 8 egjiptianë
Janë liruar gjatë ditës së djeshme 11 turistët europianë dhe tetë egjiptianët e rrëmbyer. Ata mbaheshin peng që prej një jave në zonën e largët kufitare të Egjiptit dhe u liruan. Të gjithë gjenden në kushte të mira shëndetësore, ka bërë të ditur televizioni egjiptian, njofton Rojter. Ata gjenden në rrugë për t’u kthyer në Kairo. Ndër të rrëmbyerit europianë gjenden pesë gjermanë, pesë italianë dhe një rumun. Lirimi i pengjeve është konfirmuar edhe nga agjencitë italiane.
BJELLORUSI
Lukashenka fiton 100 vende në parlament
Rezultatet e para jozyrtare nga zgjedhjet në Bellorusi tregojnë se 100 vende në parlament do t’u përkasin kandidatëve besnikë të presidentit Aleksandër Lukashenka. Dhjetë vende mbeten të papërcaktuara. Opozita tha se votimet ishin mashtrim. Anatoli Lebedko, lider i Partisë së Bashkuar Qytetare u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian të mos i njohin zgjedhjet. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidia Jermoshina insistoi se zgjedhjet i plotësuan të gjitha standardet ndërkombëtare.
IRAN
Kundërshtohen kërkesat e OKB-së
Irani ka kundërshtuar rezolutën e Këshillit të Sigurimit të miratuar këto ditë. Rezoluta kërkon nga Teherani respektimin e kërkesave të OKB-së të paraqitura dhe në rezolutat e mëparshme.
Kërkesa kryesore nga bashkësia ndërkombëtare është pezullimi i pasurimit të uraniumit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Hasan Kashkavi tha se pasurimi i uraniumit është një e drejtë që i takon vendit dhe kërkesa e OKB-së, tejkalon të drejtat ligjore dhe për këtë arsye po vazhdohet rruga e natyrshme.
30 Shtator 2008