E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-të vendosin të zgjidhin krizën, miratohet fondi 700 miliardë USD



Udhëheqësit e Kongresit të SHBA-ve nga të dyja partitë kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur pas një jave negociatash me administratën e Bushit. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nansi Pelosi, tha se me këtë marrëveshje merr fund kaosi në “Wall Street”. Ndërsa republikani John Boehner u bëri thirrje kolegëve të tij që të mbështesin këtë pako sepse ishte rrugë e drejtë për vendin. Investitorët në të katër anët e botës mbajtën frymën dje, kur u mësua lajmi se bisedimet për planin e shpëtimit prej 700 miliardë dollarësh, rifilluan mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit. Vlera e aksioneve ra në Azi dhe Europë, por pësoi rritje spekulative në SHBA në orët e fundit të tregtimit të premten. Tregjet e parasë qenë jashtëzakonisht të tendosura dhe burimet e parasë së nevojshme për financimin e aktivitetit normal qenë gati të thara. Bankat paralajmëruan se pasojat mund të jenë katastrofike në rast se plani nuk miratohej. “Më duket sikur jemi 15 minuta para fundit të botës”, deklaroi një superbankier anglez për “Financial Times”.

Bankat dhe institucionet e tjera financiare gjenden në mungesë likuiditeti dhe mund të fillojnë të falimentojnë njëra pas tjetrës, pasi nuk kanë mjete për të kryer aktivitetin e zakonshëm. Shumë qytetarë amerikanë po kundërshtojnë planin e Presidentit Bush për të blerë me fonde të qeverisë të gjitha asetet që konsiderohen të këqija, hap që do të furnizojë tregjet me 700 miliardë dollarë para të reja të grumbulluara nga qeveria amerikane përmes emetimit të titujve të borxhit. Kongresmenët mendojnë se është e palogjikshme që paratë e taksapaguesve t'u jepen me ligj institucioneve financiare, pasi qytetarët nuk mund të paguajnë papërgjegjshmërinë e menaxherëve.

BSH, kreditimi në valutë "importon" krizën

Tendenca e huadhënies në valutë nga bankat e nivelit të dytë drejt klientëve të tyre gjatë vitit të fundit ka ardhur në rritje. Kjo pasi, edhe bizneset (shitësit e shtëpive, makinave, etj) kërkojnë të paguhen, kryesisht, në euro, për mallin apo shërbimin e kryer. Krahasuar me një vit më parë, pesha e kredisë në valutë është rritur me rreth 3 për qind. Nuk ekzistojnë të dhëna zyrtare për kredinë në valutë të ndarë sipas monedhave të ndryshme, por siç dihet, kredia në valutë të huaj nga bankat jepet kryesisht në euro. Vlera e kredisë në valutë deri në muajin qershor të këtij viti arriti në afro 250 miliardë lekë, me një rritje në volum prej 46.6 përqindësh, krahasuar me korrikun e një viti më parë. Banka e Shqipërisë i ka kritikuar shpeshherë bankat se po vazhdojnë të nxisin dhe të reklamojnë më shumë kreditimin në valutë, gjë që sipas BSH-së, është e rrezikshme dhe e pajustifikuar, në një kohë kur të ardhurat e qytetarëve shqiptarë janë në lekë dhe shumë rrallë në valuta.

Rekorde historike të euriborit, më të shtrenjta kreditë në Evropë

Europianët po kërcënohen nga shtrenjtimi i kësteve që duhet të paguajnë për kreditë e marra, ndonëse kreu i Bankës Qendrore Europiane, Zhan-Klod Trichet, është deklaruar së fundi i kënaqur që kontinenti i vjetër nuk shënon simptomat e sëmundjes së ekonomisë amerikane, të zhytur seriozisht në krizë. Sipas njoftimeve nga BQE, norma bazë e përqindjes së interesit të euros, që përdoret në shkëmbimet midis bankave, Euribori, nuk ka qenë ndonjëherë më e lartë se sa tani, për tetë vjetët e fundit. Pra, që nga çasti kur ka hyrë në fuqi monedha e përbashkët evropiane. Rritjen më të ndjeshme e ka shënuar Euribori njëmujor, duke kaluar në 5.01%, ndërkohë që një javë më parë ishte në nivelin 4.63 për qind, edhe ky një rekord që nga viti 2000. Ndërkohë, dje në SHBA u nënshkrua "plani i shpëtimit", që synon të përdorë fonde publike në masën 700 milionë USD për të blerë banka të mëdha të falimentuara, me synimin për të shmangur një krizë edhe më të rëndë se ajo e vitit 1929.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›