E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovicë, pavarësisht incidenteve situata paraqitet e qetë



Përfaqësuesit e strukturave të sigurisë dhe ata të strukturave politike në Mitrovicë vlerësuan se gjendja e sigurisë në këtë vend është e qetë. Ata shtuan se qetësinë në Mitrovicë nuk e kanë dëmtuar as incidentet që kanë ndodhur në veri të qytetit javën e kaluar. Kryetari i Komunës, Bajram Rexhepi në takimin e rregullt të Komitetit për Siguri tha se përveç atyre incidenteve në veri, nuk ka informacione për ndonjë rast tjetër që do të ndikonte në segmentin e sigurisë. Edhe komandanti i stacionit të policisë në jug, kapiteni Bashkim Spahiu, vlerësoi se në këtë pjesë të qytetit gjendja ka qenë e qetë, pasi policia ka intensifikuar kontrollin për luftimin e kontrabandës. Ndërkaq UNMIK-u bën të ditur se janë hapur hetimet për incidentin e së shtunës në veri të Mitrovicës, ku tre persona të maskuar kanë sulmuar një taksist shqiptar. Nga ana e tij, përfaqësuesi i KFOR- it të zonës së përgjegjësisë së batalionit danez, Andris Sprivul, bëri të ditur në takim faktin se projekti për shtrimin e rrugës për në lagjen verior “Kroi i Vitakut”, nuk ka filluar ende për shkak se zyrtarët e UNMIK- ut janë frikësuar se mund të ketë probleme. Ai tha se rruga do të rregullohet në një të ardhme të shpejtë, pasi është një segment që shfrytëzohet nga pjesëtarët e KFOR-it. Sipas tij, përfaqësuesit e shqiptarëve dhe serbëve nuk kanë shprehur ndonjë kundërshtim për këtë.

30 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›