Hemodializa, pacientët infektohen me hepatitin B e C
ZIRINA LLAMBRO
Dhjetëra të sëmurë që luftojnë me vdekjen çdo ditë. Afro 200 prej tyre presin radhën për t’u gozhduar në aparaturën e hemodializës, por shpresat sa vijnë e shuhen. Drama e pacientëve, që veshkat i kanë jashtë funksionit ka arritur në pikën kulmore. Sipas shoqatës që i përfaqëson, skandali thellohet edhe më tej. “Pothuajse të gjithë pacientët e hemodializës në vendin tonë janë të infektuar me hepatit B ose C dhe sikur mos të mjaftonte sëmundja që kanë duhet të përballen dhe me hepatitin, i cili u heq shanset e transplantimit dhe është një virus vdekjeprurës”, shprehet kryetari i shoqatës së invalidëve me veshkë artificiale dhe të transplantuar Vullnet Kajo. Ai shton se hepatitin e kanë marrë për shkak të një shërbimi shumë të keq dhe pa standarde që ofrohet në spital. Jo pak herë kanë ngritur zërin e kanë protestuar, por askush nuk ua ka vënë veshin. Kërkojnë vetëm të mbijetojnë dhe i bëjnë apel Ministrisë së Shëndetësisë të marrë masa urgjente. “Pacientet e rinj që shtohen çdo vit duhet të mbijetojnë derisa të vdesë ndonjë “i vjetër”, që kryen hemodializë, në mënyrë që t’u vijë radha për të zënë vendin e tij në aparatin e dializës. Kjo është me të vërtetë rrëqethëse”, thotë Kajo. Sipas tij, qindra të sëmurë marrin rrugët e Maqedonisë a Kosovës ose shpërngulen në Turqi a gjetkë për të kryer shërbimin, pasi sistemi ynë shëndetësor nuk u ofron këtë mundësi. “Janë të sëmurë që kanë lidhur jetën e tyre te makina e dializës nuk po arrijnë dot të marrin as ujin e jetës. Është situatë absurde, pasi nuk po kërkojmë luks, por vetëm mbijetesë. Janë bërë investime pafund dhe ky shërbim është për të ardhur turp”, thekson kreu i shoqatës. Nga ana e tyre, mjekët e shërbimit të hemodializës i kanë kthyer sytë nga ministria. Për ta, e vetmja zgjidhje është privatizimi i shërbimit, ndërsa pranojnë mungesën e kapaciteteve, ngurojnë të japin ndonjë argument tjetër. Në Shqipëri mjekohen vetëm 207 pacientë në total, ku vetëm pacientë të rinj që kanë nevojë hemodialize çdo vit janë rreth 170. Në Maqedoni mjekohen 1400 pacientë, ku ka një popullsi rreth 2.5 milionë banorë dhe dalin rreth 120 pacientë të rinj çdo vit, ndërsa në Kosovë mjekohen 700 pacientë. “I lutemi ministres së Shëndetësisë dhe Kryeministrit, të cilët janë mjekë, që të vënë dorën në zemër dhe të na japin një zgjidhje urgjente, pasi ka rreth të paktën 200 pacientë, të cilët janë duke luftuar tashmë me vdekjen nga mungesa e dializës”, shprehet kreu i shoqatës.
Dializa
Shqipëria
Popullsia 3.5 milionë
170 raste të reja në vit
Bëjnë dializë 207 pacientë
Maqedonia
Popullsia 2.5 milionë banorë
120 raste të reja në vit
Bëjnë dializë 1400 pacientë
Kosova
Bëjnë dializë 700 pacientë