E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunët e SS-ve në qytetin e "lirë"

Musolini është akoma i burgosuri i Badoljos dhe në Romë sundon kaosi. Është
vera e vitit 1943, më dramatikja që prej kohës kur ka filluar lufta. Një nga shefat
e shërbimit sekret nazist në Itali është Herbert Kapler, majori që disa muaj më
vonë - 24 mars të vitit 1944 -organizoi një masakër, ku u vranë 335 civilë me një
të shtënë mbas koke, një reprezalje monstruoze, për shkak të atentatit partizan të rrugës
"Razela" një ditë më parë.
Në atë fillim gushti të vitit 1943, majori Kapler ka për të kryer misionin e pamundur. Duhet
të arrijë të çlirojë Benito Musolinin, të cilin më datë 26 korrik e transferuan në Ponza dhe
pastaj në Madalena. Dhe duhet të informojë edhe Berlinin ditë pas dite, orë pas ore, mbi të
gjitha zhvillimet e armëpushimit ndërmjet shefit të ri të qeverisë
italiane, Pietro Badoljo dhe anglo-amerikanëve. Aleatët
zbarkuan në Sicili më datë 10 korrik. Ndër shërbimet sekrete gjermane
në Romë ka filluar konfuzioni. Kapler dërgon pa pushim
qindra fonograme në Gjermani, drejtuar shefit të SS-ve, Heinrik
Himler. Por shërbimi i Inteligjencës së Londrës survejon dhe dokumenton
gjithçka. Dhe gjithçka përfundon në tryezën e Uinston
Çërçillit. Këto mesazhe mbetën të pabotuara për publikun
për gjashtëdhjetë vjet. U publikuan vetëm në vitin 2004, bashkë
me të tjera mijëra fonograme që vinin nga fronti i luftës. Fonogramet që janë dërguar nga
Italia janë më konfuzet nga gjithë të tjerat që u dërguan nga Afrika e Veriut, Franca, vendet
ballkanike, Lindja e Mesme, Kabuli dhe Teherani. Të gjitha janë fonograme të klasifikuara
"top sekret". Dhe prej këtyre copëzave historish tragjike, dalin në dritë edhe ngjarjet e zhvilluara
në Italinë e vitit 1943. Madje kuptohet që për Hitlerin ishte prioritet që të dinte gjithmonë
se ku ndodhej Musolini. Gjithashtu, prioritet tjetër ishte edhe problemi i hebrenjve.
Majori Kapler është gjithmonë në dijeni për zhvendosjet e Duçes. Informohej nga karabinierët,
fashistë besnikë, spiunë të tjerë që punonin nën komandën e tij. Madje edhe në
Vatikan kishte burime informacioni. Dhe madje prej atje e informojnë se kishin filluar tratativat
për armëpushimin ndërmjet "tradhtarit" Badoljo dhe aleatëve.
Në Berlin dërgon edhe analizat e tij mbi gjendjen në Itali; mbi popullatën që ka filluar të
ndjejë mospëlqim dhe urrejtje për forcat gjermane; mbi Duçen, "që sa vjen dhe bëhet jo
popullor"; mbi rrezikun e "një lufte civile". Nën urdhrat e Herbert Kapler gjejmë edhe kapitenin
e SS-ve, Erik Priebke, i gjykuar në Itali në vitet nëntëdhjetë për masakrën e 24 marsit.
Priebke jeton akoma në Romë, me arrest shtëpie, jo shumë larg rrugës "Razela".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›