Casillas kritikon UEFA-n

Portieri i Spanjës, Iker Casillas ka kritikuar vendimin e UEFA-s për të lejuar Kombëtaren e tij të luajë ndeshjen e tyre kualifikuese për Euro 2012 në një fushë në gjendje të keqe kundër Lituanisë të martën. Pavarësisht ankesave të bëra nga spanjollët edhe para fillimit të ndeshjes, të cilën e fituan 3-1, UEFA aprovoi fushën duke zgjuar hidhërimin e Casillasit.
“Ne morëm tri pikë nga një fushë në të cilën ishte e pamundur të luhej. Ajo ishte e tmerrshme”, tha Casillas për të përditshmen sportive spanjolle Marca.
“Mendoj se nganjëherë duhet të zgjojmë vëmendjen e UEFA-s sepse kjo është për t’u ankuar. Ne shkojmë dhe luajmë atje ku na thonë, por këto fusha nuk i ndihmojnë askujt të luajë futboll. Nuk është vetëm kjo. UEFA duhet të vjen dhe t’i shikojë ato, të brengoset më tepër rreth fushave si kjo. Ata duhet të bëjnë më tepër se të qëndrojnë në tavolinat e tyre dhe të na tregojnë se si duhet të vishemi për një ndeshje. Atë që duhet të bëjnë ata është të sigurojnë kushtet për të luajtur futboll”, u shpreh portieri i Real Madridit.
UEFA është kundërpërgjigjur ndaj komenteve, duke theksuar se i takonte gjyqtarit dhe Federatës së Futbollit të Lituanisë të vendosin nëse fusha ishte në gjendje për t’u luajtur në të.