Cassano e merr dritën e gjelbër për lojë

Lajme të mira për Milanin dhe për Kombëtaren italiane. Antonio Cassano e ka kaluar me sukses vizitën në Institutin e medicinës së sportit në Milano, duke e marrë dritën e gjelbër për t’iu rikthyer fushës së gjelbër, pas operimit të zemrës, për ta sanuar një problem kardiak, i cili i kishte shkaktuar probleme, në fund të muajit tetor të vitit që shkoi.
Me këtë rast, sulmuesi nga Bari mund të rikthehet në dispozicion të trajnerit Massimiliano Allegri për fazën finale të sezonit, ndërsa mbetet të shihet nëse selektori Cesare Prandelli do ta ftojë apo jo në Kombëtare, për Euro 2012.
“Ky është OK definitiv. Cassano është i aftë të luajë si të gjithë lojtarët tjerë të Milanit. Kur do ta bëjë lojën e parë me Rossonerët, për këtë do të vendos trajneri. I falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan që ta menaxhoj këtë situatë mjaft të komplikuar”, ka thënë përgjegjësi sanitar i Milanit, Rodolfo Tavana.
Ndërkohë, edhe Milani e ka lëshuar një komunikatë zyrtare për shtyp. “AC Milan njofton se sot, Antonio Cassano ka marrë përgjigje pozitive edhe në aspektin legjislativ, nga medicina sportive, për vazhdimin e karrierës së tij, pas vizitës që e kishte në Institutin e Medicinës së sportit nga Federata mjekësore sportive italiane në Milano. Cassano, nga tash mund të rikthehet të stërvit rregullisht me skuadrën”, shkruan klubi italian.