Mourinho: Jam lindur fitues

Jose Mourinho insiston se është i lindur për të arritur suksese dhe për të fituar trofe. Trajneri portugez është treguar i suksesshëm në secilin klub që e ka udhëhequr, duke filluar nga Porto, ku e kishte fituar Ligën e Kampionëve për herë të parë, për të vazhduar më pas me Chelsean, ku e fitoi dy herë Premierligën, pastaj me Interin, që fitoi Ligën e Kampionëve dhe Serie A dhe në fund me Real Madridin, ku është afër të arrijë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe ta fitojë titullin në La Liga.
“Unë mundohem ta sfidoj veten më shumë sesa t’i sfidoj të tjerët. Gjithmonë mundohem t’i vë vetes objektiva të vështirë, mendoj që të jem gjithmonë në garë me vetveten. Jam lindur fitues. Kur të pensionohem, do të më kujtojnë të gjithë si një njeri të futbollit, i cili e ka bërë më të mirën në punën e tij”, deklaroi fillimisht Mourinho për mediet portugeze.
‘Special One’ i ka treguar edhe veçoritë e tij, të cilat e bëjnë trajner të veçantë dhe të suksesshëm. “Lojtarët janë persona që i kanë të gjitha, e kanë statusin, janë inteligjentë, studiojnë. Kanë qasje për gjithçka. E dinë se cili është trajneri i përgatitur, por edhe nëse ai është i papërgatitur. Mendoj se mënyra e duhur për ta marrë respektin e tyre mbi të gjitha është që t’i respektosh. Dhe unë i respektoj lojtarët më shumë se çdo gjë tjetër në futboll. Kam fituar më së shumti në 10 vjetët e fundit, për këtë jam special”, vazhdoi trajneri i Real Madridit.
“Unë jam njeri me fat, sepse kam punuar me persona fantastikë. Kur shkon në një skuadër, duhet të tregohesh pozitiv me njerëzit që punon. Kërkon informata për lojtarët, për karakterin, personalitetin e tyre. Gjëja më e rëndësishme është ta flasësh gjuhën lokale, spanjishten në Spanjë, anglishten në Angli e italishten në Itali. Nuk mund ta përdorësh një gjuhë tjetër. Duhet të njohësh disa gjuhë për të pasur biseda private me lojtarët”, shtoi ai.
Mourinho foli edhe për eksperiencën në Madrid, e cila, sipas tij, po shkon për mrekulli. “Jemi në krye të La Ligas dhe kemi mundësi të shkojmë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Po shkon mjaft mirë. Jam mësuar edhe me kritikat, të cilat janë të pranishme në botën e futbollit. Jam gjithmonë i kritikuar, në çdo rast”, nënvizoi ai.
Mourinho ka folur në detaje edhe për eksperiencat e suksesshme në Porto, Chelsea e Inter. Ai kujton bisedën me Zlatan Ibrahimovic, të cilën e konsideron si më të veçantën deri tash.
“Ka zgjatur 5 minuta. Ai thoshte se dëshironte të shkonte në Barcelonë për ta fituar Championsin dhe unë isha i mllefosur me të, duke i thënë: rri këtu dhe fito me Interin. Më erdhi keq, sepse ai është një lojtar dhe djalosh i shkëlqyeshëm, është një djalë që e adhuroj, që e ka një jetë fantastike brenda dhe jashtë fushës. Ai jeton për familjen, për futbollin, është një fitues”, përfundoi Mourinho.