E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ç’po bëhet me linjën e interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri?

Por, në atë kohë nuk premtoi vetëm ndërtimin e një linje të tillë, por edhe të një TEC-i të përbashkët për të përfituar energji elektrike për të dyja vendet.

Por, tani në vitin 2012, as njëra dhe as tjetra nuk është bërë. Një ditë më parë, gazeta kosovare “Zëri”, shkruante se pengesë për ndërtimin e linjës së intekonjeksionit Tiranë-Prishtinë, bëhen biznesmenët serbë, të cilët paguajnë shuma të mëdha parash pranë qeverisë shqiptare për të penguar ndërtimin e kësaj linje energjetike, e cila do të hiqte monopolin e Serbisë mbi energjinë në Kosovë.

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se në mars të vitit 2011 është hapur tenderi për linjën e transmetimit të energjisë Shqipëri-Kosovë, me kapacitet 400 kilovolt, projekt që financohet nga banka gjermane KFW. Ndërtimi i kësaj linje midis do t’i sillte Kosovës pavarësinë nga linjat serbe. Sipas këtyre burimeve, biznesmeni serb, Vuk Hamoviç, njëri nga njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes në bashkëpunim me Damir Fazlliçin, janë takuar në Vjenë me djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berisha.

“Biznesmenët serbë kanë paguar shuma të mëdha në instanca të larta shtetërore në Shqipëri, për bllokimin e ndërtimit të linjës”, tha burimi i gazetës.

Për rastin është pyetur edhe ministri i Ekonomisë së Shqipërisë, Nasip Naço, i cili edhe në këtë rast nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të prerë, por ka sqaruar se pengesë në lidhjen e kontratës është bërë vetë kompania. “Në dijeninë time tenderi është bërë prej disa muajsh. Autoriteti kontraktues nuk ka qenë gati që të lidhte menjëherë kontratën pasi ka menduar që termat e referencës kishin probleme në lidhjen e kontratës. Është diskutuar nga zyrat juridike në Ministrinë e Ekonomisë, por edhe tek ato të OST-së, është marrë një mendim më i kualifikuar dhe do të jepet një zgjidhje në ditët në vijim”, thotë Naço.

“Sigurisht kemi patur letërkëmbim, është një kontratë që do të lidhet mes KFW-së dhe OST-së. Nuk besohet që një kontratë mund të firmoset me një intervistë, ka disa kushte ligjore që secila palë duhet t’i përmbahet dhe termave të referencës. Nëse është në përputhje do miratohet, nëse s’është…asnjë s’merr përsipër që të shkelë ligjin nga presioni që bën dikush”, vijon.

Opozita thotë se pengesa në këtë drejtim është e qëllimshme për të favorizuar biznesin serb. “Jemi të detyruar të mendojmë që një prioritet i tillë në interes të Shqipërisë dhe Kosovës, bllokuar prej një viti e ca, duhet të ketë qëllime ose korruptive ose interesa të palëve që nuk janë të interesuar për krijimin e kësaj linje me krijimin e pavarësisë së Kosovës”, thotë deputeti PS-së, Artan Gaçi.

Në shkrimin e gazetës kosovare “Zëri” përmendet edhe emri i djalit të kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, i cili ka ndërmjetësuar duke u takuar me dy biznesmenët serbë, Fazlliç dhe Hamoviç. Shkëlzen Berisha reagon për rastin, duke theksuar se nuk ka pasur kurrë një takim të tillë. “Dëshiroj t’ju bëj me dije ju dhe mbarë opinionit të Kosovës që kjo është një shpifje e ulët pasi unë nuk jam takuar kurrë dhe asnjëherë me z. Vuk Hamovic dhe as me ndonjë ndihmës apo përfaqësues të tij, as në Vjenë e as në ndonjë vend tjetër të rruzullit, për asnjë lloj pune, apo biznesi, dhe madje nuk kam as njohje me të. Takimi i supozuar mes meje, z. Hamovic dhe z, Fazlliç është fund e krye një trillim i ulët i artikullshkruesit”, thuhet në reagim. /Start/

                                                                                             2012-04-17 08:41
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›