E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi "Nobel" për paqen, Obama: Dua ta ndaj me të gjitha kombet

Presidenti amerikan Barak Obama është shprehur i befasuar, pas shpalljes së tij si fitues i Çmimit "Nobel" për Paqen për vitin 2009. Obama deklaroi në një konferencë për shtyp në kopshtin e trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë se e pranonte këtë nder të veçantë si një thirrje për më shumë veprim dhe angazhim në përballimin e sfidave të shekullit XXI.
"Jam i befasuar dhe në të njëjtën kohë shumë i nderuar nga vendimi i Komitetit të Nobelit. Nuk e vlerësoj këtë nderim si njohje ndaj arritjeve të mia personale, por më shumë si një afirmim të lidershipit amerikan në emër të aspiratave të popujve të të gjitha vendeve", tha Obama për gazetarët.
Çmimi Nobel për paqen për Presidentin amerikan ishte një surprizë për të gjithë, surprizë e cila vjen vetëm tetë muaj pasi Obama mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Komiteti norvegjez i Nobelit njoftoi se kishte nderuar Obamën me cmimin e Paqes për përpjekjet e tij të jashtëzakonshme në forcimin e diplomacisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes popujve. Vendimi i la të surprizuar të gjithë vëzhguesit.
Ndërkohë që Çmimi "Nobel" për paqe që iu dha presidentit amerikan Obama nuk ka kaluar pa kritika. Kritikët kanë thënë se Obama nuk ka arritur shumë në nivel botëror në këto muaj të presidencës.
Federata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut e uroi Obaman, por theksoi se aktivisti çeçen i të drejtave të njeriut do të ishte zgjidhje më e merituar.
Ish-presidenti polak, Les Valesa, fitues i këtij çmimi më herët, tha se është ende shpejt që Obama të merrte çmimin pasi "deri tani nuk ka dhënë ndonjë kontribut".
Ndërsa lëvizja palestineze Hamas theksoi se çmimi në rastin më të mirë ishte "i parakohshëm". Vendimi është dënuar nga talebanët, zëdhënësi i të cilëve ka thënë se Obama "nuk ka marrë asnjë hap të vetëm drejt paqes në Afganistan".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›