E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i energjisë, Ksera përshëndet vendimin e ERE-s

TIRANË - "Vendimi i bordit drejtues, të Entit Rregullator të Energjisë, për të mos ndryshuar tarifat e energjisë elektrike për tre vitet e ardhshme, është në përputhje të plotë me vendimin e marrë nga Këshilli Kombëtar i Punës si organi më i lartë tripalësh”. Kështu deklaroi sot, Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera gjatë një konference për shtyp.

Duke përshëndetur drejtuesit e ERE-s, Ksera vlerësoi se vendimi i marrë një ditë më parë nga ky institucion, "është në zbatim të plotë edhe të marrëveshjes ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, si dhe asaj ndërmjet Ministrisë së Punës me punëdhënësit dhe punëmarrësit, për mbrojtjen e shtresave në nevojë dhe garantimin e kushteve lehtësuese për biznesin".

Interesit të mediave, lidhur me rastet e abuzimit me kompenismin për energjinë elektrike, i’u përgjigj duke thënë se "po shqyrtohet çdo rast i dyshuar nga CEZ-shpërndarje. Shumë shpejt do të kemi një qëndrim edhe për këtë".

Bordi drejtues i Entit Rregullator të Energjisë vendosi të enjten të mos ndryshojë çmimin për energjinë elektrike ndaj konsumatorit për vitet 2012-2014. Vendimi për shqyrtim të çmimeve erdhi pas kërkesës që bënë tre operatorët, KESH, CEZ dhe OST, për rritjen e çmimit të energjisë, ndërsa ERE theksoi se parësore mbetet interesi i konsumatorit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›