E Shtunë, 31 Tetor 2026

I dënuari për tradhti ndaj atdheut, monument nderi në Kishë

GJIROKASTER - Monumenti i Filip Papathanasit, njërit prej të akuzuarve nga regjimi komunist i kohës për tradhti të lartë kundër integritetit tokësor dhe pushtetit popullor dhe i dënuar më burgim të përjetshëm, është vendosur pak ditë më parë në oborrin e Kishës së Shën Andreas në fshatin Rahull të Gjirokastrës. E pranishme në këtë ceremoni, mësohet të ketë qenë dhe deputetja e Partisë Socialiste, Luiza Xhuvani, e cila është dhe një prej pasardhëseve të Filip Papathanasit.
Ceremonia
Vendosja e monumentit të Filip Papathanasit në oborrin e kishës së fshatit të vendlindjes së tij, është paraprirë nga një ceremoni e vogël, ku të pranishëm ishin përfaqësues të shoqatave minoritare dhe të afërm të Papathanasit, ku në sy binte Luiza Xhuvani, e cila zbuloi dhe monumentin e tij, i cili ishte i dekoruar dhe mbuluar me flamuj grek. Më pas, mësohet se janë vendosur kurora në nderim të figurës së tij, i cili cilësohet nga ana e grekëve si një hero që u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm, vetëm e vetëm se kërkoi të mbronte të drejtat e minoritarëve.
Ndërkohë, nga ana tjetër, regjimi komunist e ka dënuar atë me akuzën për tradhti të lartë kundër integritetit tokësor dhe pushtetit popullor. Në monumentin e tij, shkruhet se vdiq në burg në moshën 31-vjeçare me mëkatin e vetëm se kërkoi të drejtat e minoritetit grek. Organizata SFEVA shkruan për Papathanasin se, ai nuk pranoi të fliste shqip gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në ngarkim të tij, duke detyruar gjykatën që të merrte një përkthyes. Gjithashtu shkruhet se ai u mbylli vetëm në qeli me një racion ditor 400 gr, deri sa gjeti vdekjen vetëm pak vite më pas në qeli.
Konflikti
Por, duket se ceremonia në fjalë nuk është pritur mirë nga ana e Mitropolisë së Gjirokastrës, e cila nuk ka qenë dakord me vendosjen e këtij monumenti në ambientet e kishës. Referuar mediave greke mësohet ky monument është vendosur në fshehtësi nga ana e shoqatave minoritare të Sarandës e Delvinës dhe nuk është marrë leje më parë në Mitropolinë e Gjirokastrës. Gjithashtu mësohet se, kur janë pyetur në lidhje me punimet që po kryheshin në oborrin e kishës, kanë deklaruar se do vendoseshin shtylla ndriçimi. Duket se ky veprim ka irrituar përfaqësuesit e Kishës, të cilët kanë refuzuar të zhvillojnë ceremonitë kishtare për sa kohë veprime të tilla janë ndërmarrë pa miratimin e tyre. Ky është rasti i dytë brenda pak muajsh, që Mitropolia e Gjirokastrës është kundër vendimeve të minoritetit grek për vendosjen e monumenteve brenda territorit të kishës. Në muajin Gusht të këtij viti, sërish Mitropolia e Gjirokastrës kundërshtoi vendimin e OMONIA-s për vendosjen e bustit të Aristotel Gumës brenda rrethimit të Kishës në Himarë.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›