E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekreton “identitetin e shtetasve shqiptarë”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje shpalljen e disa ligjeve të rëndësishme të miratuara së fundi nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, kreu i shtetit hodhi firmën për një ndryshim në ligjin “Për dokumentin e identitetit të shtetasve shqiptarë”, disa ndryshime në ligjin "Për akcizat”, si dhe në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Gjithashtu, Presidenti dekretoi dhe ratifikimin e “Marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë për bashkëpunimin për zhvillim”, si dhe disa ndryshime në ligjin "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.

Basha-Hyland, diskutohet perspektiva atlantike

Shqipëria dhe SHBA-ja kanë vlerësime të njëjta për perspektivën euroatlantike të vendit tonë, për bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimet në Kosovë. Por SHBA vlerëson dhe rolin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Kjo iu bë dje e ditur ministrit tonë Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, gjatë takimit që zhvilloi me z. Jason Hyland, drejtor për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, i cili shoqërohej në këtë takim nga ambasadori amerikan, z. John Withers. Ministri Basha dhe zyrtari i lartë amerikan vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe bashkëpunimin e ngushtë si në rrafshin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh. Z. Hyland vlerësoi rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të Shqipërisë për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit. Ministri Basha falënderoi z. Hyland për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme që SHBA-të i ka dhënë vendit tonë për anëtarësimin në NATO, i cili pritet të kurorëzohet në prill të këtij viti në samitin e Strasburg-Kiehlit. Në vazhdim, ministri Basha bëri një prezantim të reformave dhe zhvillimeve në Shqipëri dhe veçanërisht të ecurisë së reformës elektorale. Ministri Basha siguroi edhe një herë z. Hyland për vendosmërinë e palëkundur të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare për të qenë një faktor stabiliteti, moderimi dhe paqeje në rajon e më gjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›