Meta: Do të shfuqizojmë vendimin për skafet
Në një takim në qytetin e Vlorës, kreu i LSI-së, Meta, siguroi se me ardhjen në pushtet, do të shfuqizojë vendimin e kufizimit të mjeteve të lundrimit vetëm për shqiptarët. Ndërkaq, Meta u ndal tek vizita e bërë në rrugën Durrës-Kukës, si një rrugë me vlera kombëtare. Ai u shpreh: “Unë isha na Kalimash për të inspektuar veprën më të madhe të kombit tonë, që është rruga që lidh Durrësin me Kosovën. Jo rastësisht isha atje një ditë pas 1-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe jo rastësisht jam sot në Vlorë midis jush, sepse kur kam qenë në Llogara në pranverën e 2001-shit për të inauguruar përfundimin e rrugës së re të Llogarasë, kam thënë me bindje dhe me siguri që këtu unë shikoj rrugën e Kosovës”. Kreu i LSI-së theksoi: “Ajo dua të them sot këtu në Vlorë, është se pavarësisht nga progresi i rrugës Durrës-Kukës, pavarësisht se ka tetë vjet dhe rruga e bregut ka ecur ashtu me të shtyrë dhe me të çaluar, qeveri pas qeverie, do të jetë përgjegjësia, nderi dhe privilegji ynë të përfundojë edhe rrugën e Kosovës edhe rrugën e bregdetit”.
KQZ, sot modeli i vulës për KQV-të
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë sot në shqyrtim projektvendimin për modelin e vulave që do t’u shpërndahen KQV-ve. Bazuar në nenin 21, pika 1 dhe nenin 99, pika 1/b, nenin 103 neni të ligjit 10 019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon dërgimin nga KQZ-ja të vulave për KQV-të së bashku me materialet e tjera zgjedhore, Drejtoria e Logjistikës ka përgatitur edhe modelin e vulës për KQV-të. Modeli është i bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 390, datë 6.8.1993 “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjen e vulave zyrtare” dhe VKM-së nr. 164 datë 18.3.1995 “Për disa ndryshime të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 390, datë 6.8.1993 "Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare". Po sot, KQZ-ja pritet të marrë në shqyrtim projektvendimin për rregullat e hedhjes së shortit për caktimin e anëtarëve të KQZ-së që të relatojnë kërkesat ankimore.