Ceka: Edhe Rama akuzohet për afera si Berisha
Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Neritan Ceka, njëkohësisht president i Aleancës Demokratike, i futur në Parlament falë bashkëpunimit me PS-në, është shfaqur dje në Fier si një përfaqësues i mazhorancës. Ashtu si ministrat e Berishës dhe deputetët më aktivë të PD-së, Ceka e ka trajtuar në të njëjtin kontekst çështjen Fazlliç dhe akuzat që mazhoranca ngre për kreun e PS-së. Kreu i Aleancës Demokratike ishte dje në një vizitë pune në qytetin e Fierit. Në një prononcim për gazetën "Shqip", në aktivitetet e zhvilluara gjatë kësaj vizite, ai tha se "çështja Fazlliç duhet të zbardhet deri në detajet më të imta. Duhet që politika të shkëputet nga bizneset. Ashtu si edhe në vendet e zhvilluara, edhe në vendin tonë nuk duhet që politika të rendë pas bizneseve". Ceka e ka cilësuar si tepër me rëndësi zbardhjen e përfshirjes së serbo-boshnjakut Fazliç në investimet e vendit, si dhe lidhjen e tij me persona shumë të afërt të Kryeministrit aktual. "Po vihet re se politika jonë po rend pas çdo lloj biznesi që ofrohet. Po shohim raste flagrante që personazhe të veshur me politikë po i shkojnë pas ndërtimeve të objekteve të rëndësishme publike në Shqipëri. Nuk mund të ndodhë që politika të vrapojë dhe të gjendet pas ndërtimit të një TEC-i të ri, apo të një investimi me shuma të ngjashme me atë të një vepre si TEC-i. Ndaj duhet sqaruar një herë e mirë kjo çështje, me qëllim që të shkohet edhe në sqarimin e çështjes Fazliç", tha nënkryetari i Kuvendit. Sipas tij, "Kuvendi dhe deputetët po e kthejnë në çështje dite dhe shumë të diskutueshme praninë e Fazliçit disa kohë më parë në vendin tonë, si dhe vizitën e fundit të tij. Po shihen deputetë që po mbajnë peng Parlamentin vetëm me faktet që publikohen më parë në media. Nuk kemi parë që këta deputetë të sjellin fakte të reja". Ndërkohë, Ceka tha se asnjë politikan nuk e ka të ndaluar të shoqërohet e të bisedojë me biznesmenë, qofshin këta të lakuar për abuzime apo jo. Ai tha se akuza për afera të tilla mund të jenë edhe vetëm produkt i luftës politike. "Kujtojmë se edhe lideri i opozitës, Edi Rama, po lakohet për parkingun e nëndheshëm te lulishtja publike e kryeqytetit. Po flitet që Rama ua ka dhënë atë investim miqve të tij, me qëllim përfitimin prej tyre", tha Ceka, duke shtuar se "ne po jetojmë përditë në Tiranë dhe shohim se ç‘po bëhet me sheshet e ndërtimit. Rama po lyen fasadat dhe po gërryen sheshet ku të mundet", tha ai, duke treguar edhe detaje personale, që sipas tij faktojnë abuzimin e kryebashkiakut. Në fund të deklaratës së tij, nënkryetari i sapozgjedhur i Kuvendit tha se gjithë zhurma që bëhet lidhet me fushatën e afërt elektorale, por, sipas tij, "afera të tilla nuk do të ndikojnë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2009, pasi ne si shqiptarë harrojmë mjaft shpejt".