E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama dërgon në Kuvend materiale të reja për Mediun



Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar në Kuvend dokumente shtesë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme kanë bërë të ditur se në orët e mesditës së djeshme ka depozituar pranë Këshillit të Mandateve në Kuvend katër volume me dokumente, së bashku me shkresën përcjellëse me sqarimet përkatëse për lejimin e procedimit penal të deputetit Mediu. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar se në katër volume janë të përfshirë dokumentet e mëparshme të hetimit, duke shtuar edhe pjesën tjetër të dokumenteve që kërkoheshin, në të cilat përfshihen edhe disa dokumente të sekuestruara në vazhdim të hetimeve dhe pas paraqitjes së kërkesës së Prokurorisë në Kuvend. Po kështu, bëhet e ditur se Prokuroria po vazhdon hetimet dhe po ushtron ndjekje penale ndaj disa personave civilë dhe ushtarakë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 15 mars në Gërdec dhe siguron se është e vendosur që në pavarësi të plotë në vendimmarrjen e saj, të vërë përpara përgjegjësisë çdo person. Këshilli i Mandatave për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është mbledhur dje dhe ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të deputetit Hajrulla Paturri, i cili është përfshirë në një sherr në një ndeshje futbolli duke goditur me grusht arbitrin. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me unanimitet, vendosi që të thërrasë deputetin Hajrulla Paturri në mbledhjen e ardhshme për ta dëgjuar në lidhje me kërkesën e ardhur.

11 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›