Takimi në Presidencë, Topi i jep mbështetje kryeprokurores Ina Rama
Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka zhvilluar dje një takim larg syrit të medias me prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Burime zyrtare nga Presidenca e kanë cilësuar këtë një takim rutinë midis dy drejtuesve të institucioneve më të rëndësishme të vendit. Por fakti që një takim i tillë nuk është bërë publik tregon qartë se qëllimi i këtij takimi nuk është thjesht përmbushje e një detyre rutinë, por një mbështetje që kryeprokurorja Rama merr nga presidenti Topi.
Hetimet
Aktualisht kryeprokurorja Rama gjendet midis dy “zjarreve”. Dy dosjet më të rëndësishme të hetimit të ndërmarra prej saj kanë në qendër pikërisht dy ministra të qeverisë “Berisha”. Një nga dosjet është hetimi për korrupsionin e dyshuar në procedurat e ndërtimit të rrugës “Durrës-Kukës”, ku akuzohet ish-ministri i Transporteve, aktualisht ministër i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Ndërsa dosja tjetër lidhet me hetimet mbi tragjedinë e Gërdecit, ku i përfshirë është një tjetër përfaqësues i qeverisë “Berisha”, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Qëndrimi i deritanishëm i qeverisë “Berisha” në lidhje me të dy hetimet e ndërmarra nga Prokuroria e Përgjithshme me në krye Ina Ramën, ka qenë në mbrojtje të dy ministrave. Edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka treguar qartë predispozitën për të zvarritur miratimin e heqjes së imunitetit të ish-ministrit Mediu. Një qëndrim i tillë i qeverisë dhe i Kuvendit duket se është gërshetuar edhe me një presion politik që po ushtrohet nga maxhoranca ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Në një situatë të tillë takimi me Topin tregon qartë ofrimin e një mbështetjeje nga ana e tij ndaj Ramës.
Mbështetja
Mbështetja që presidenti Topi i ka dhënë prokurores së Përgjithshme Ina Rama në punën e saj, duket se është i nxitur edhe nga faktorin ndërkombëtar që operon në Shqipëri. Vetëm pak ditë më parë ai zhvilloi dy takime të rëndësishme me përfaqësues të diplomacisë ndërkombëtare, siç ishte takimi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Uidhers dhe ambasadori i Komisionit Europian, Lohan. Të dy këto personalitete kanë vlerësuar rolin moderator të presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe të pavarësisë së institucioneve demokratike e kushtetuese. Por, pak ditë para takimit me presidentin Topi, ambasadori amerikan në Tiranë, Uidhers, deklaroi mbështetje për hetimet e ndërmarra nga Prokuroria. Ndërkaq, burime zyrtare nga Prokuroria kanë shtuar se takimi mes Topit dhe Ramës mund të ketë lidhje me mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë më 17 qershor, në të cilin do të jetë prezent dhe presidenti Topi. Në këtë mbledhje pritet të zgjidhen tre anëtarët e rinj të këtij këshilli. Por duket se në të vërtetë takimi midis Topit dhe Ramës fsheh në thelb qëllime të qarta politike.
11 Qershor 2008