Meta: “Me të rinjtë do të ndryshojmë Shqipërinë”
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë dje në Konferencën e Lëvizjes Rinore për Integrim të rrethit të Lushnjës. Mbi 700 të rinj të Lëvizjes Rinore për Integrim mbushën plot e përplot Kinoteatrin e këtij qyteti, “Vaçe Zela”. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Meta tha se “nuk ka tribunë më të sigurt për rininë shqiptare, por edhe për atë lushnjare, sesa LSI-ja, për të afirmuar idetë e saj, aspiratat e saj dhe për të rritur personalitetin e vet. Ndaj ju të gjithë duhet të bëheni pjesë e pandashme, të jeni gjithmonë në pararojë të zhvillimeve të ndryshme jo vetëm të komunitetit ku ju jetoni, por të jeni e ardhmja e Shqipërisë duhet të bëheni pjesë e LRI-së. Unë personalisht kam pasur një besim të jashtëzakonshëm të forca dhe tek vitaliteti i të rinjve dhe jam i bindur se nuk ka forcë më të madhe sesa forca e të rinjve. Ky vend nuk mund të prodhojë vetëm emigrant edhe tani pas 18 viteve. Ky vend ka nevojë për të rinj që të gjejnë veten në hapësirat që duhet të krijojë një sistem demokratik, qeverisës, transparent dhe i përkushtuar te problemet sociale dhe ekonomike të rinisë. Ky vend ka nevojë për të rinj që besojnë në radhë të parë tek e ardhmja, dhe për këtë na duhen të rinj që besojnë te LRI-ja si fuqia më e madhe politike e rinisë sot në Shqipëri", - u shpreh Meta.
LSI-ja mbështet kërkesat e ish-punëtorëve të Gërdecit
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, si dhe të tjerë drejtues të tjerë të LSI-së kanë vizituar dje ish-punëtorët e Fabrikës së Demontimit të armëve në Gërdec, të cilët prej katër ditësh janë futur në grevë urie. LSI përkrah dhe mbështet grevistët në kërkesat e tyre legjitime dhe fajëson qeverinë për këtë sakrificë që po bëjnë grevistët në emër të të gjithë atyre që u dëmtuan nga shpërthimi i tmerrshëm i 15 marsit në Gërdec. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, kërkoi nga qeveria që t’i kompensojë deri në fund banorët e Gërdecit dhe të plotësojë kërkesat e punëtorëve grevistë. “I bëj thirrje publikisht qeverisë për të likuiduar deri më një sakrificën, tashmë të paguar me jetë njerëzish në Gërdec. Mesa duket, tha ai, ashtu sikurse edhe të gjitha rastet e tjera, në vend që kjo qeveri të merrej me likuidimin të atij dëmi të jashtëzakonshëm që bëri, e ka parë të udhës që edhe këta t’i konsiderojë ‘një grevë e manipuluar’. Deri tani nuk kemi dëgjuar akoma që të akuzojë dhe të vdekurit për manipulimin e tyre”, - është shprehur sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Vasili.
11 Qershor 2008