Ceka: Letra e Ramës, si ftesë për gjah
Partia Aleanca Demokratike shënoi dje ndarjen përfundimtare me Partinë Socialiste. Në një konferencë për shtyp, Ceka deklaroi arsyet e mospjesëmarrjes së tij në këtë takim. “Ftesa e Ramës për takim duket si ftesë për gjah”, ishte cilësimi i Neritan Cekës për ftesën e kryesocialistit Edi Rama duke e lidhur në mënyrë ironike me vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka. Megjithatë, ai mbështet kreun e LSI-së, Ilir Meta, i cili kërkon që opozita të bashkohet për të larguar sa më parë Kryeministrin Berisha, duke u shprehur se nuk është asnjëherë kurrë vonë për këtë. Sa për pjesëmarrjen në protestë, Ceka u shpreh se Partia Aleanca Demokratike nuk do të marrë pjesë në të për shkak se dyshon te qëllimi i vërtetë i saj. Aleancisti ka disa kohë që është shkëputur nga takimet e opozitës, duke u distancuar hapur prej saj, ndërkohë që vërehet çdo ditë e më shumë afrimi i tij me të djathtën në pushtet.