E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthehet nga Iraku Kontingjenti i 11-të Paqeruajtës

Në aeroportin “Nënë Tereza” u zhvillua dje ceremonia e mbërritjes në atdhe të Kontingjentit të 11-të Paqeruajtës, i cili përfundoi me sukses të plotë misionin e tij në Mosul të Irakut. Për pritjen e trupave paqeruajtëse kishin dalë shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral brigade Maksim Malaj, komandanti i Forcës së Bashkuar gjeneral brigade, Agim Lala, drejtori i Kabinetit të ministrit të Mbrojtjes, Besnik Dervishi, përfaqësues të pushtetit vendor, si dhe familjarë e të afërm të ushtarakëve paqeruajtës. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe atasheu ushtarak amerikan në Tiranë, Kapiten i Rangut të Dytë, Brian Moore. Pas pritjes me truproje nderi dhe ekzekutimit të himnit kombëtar, trupat e rreshtuar në pjesën ushtarake të këtij aeroporti dhe të pranishmit e tjerë u përshëndetën nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral brigade Maksim Malaj. “Ky kontingjent, - u shpreh ai, - i bashkohet listës së gjatë të kontingjenteve tona që kanë përmbushur me sukses detyrat e ngarkuara. Ata kanë ngritur lart vlerat morale dhe atë çfarë kanë përfituar nga trajnimet e bëra, për përballjen me sfidat e fushë betejave”. Në përmbushjen me sukses të misionit që ju ishte besuar, - ka vijuar më tej Gjeneral Brigade Malaj, - ju keni shkruar në ditarin e njësisë tuaj edhe një vlerësim tjetër të lartë. Arritjet e deritanishme ju garantojnë ecjen përpara në përmbushjen e të gjitha misioneve për ruajtjen e paqes dhe sigurisë kudo ku ajo kërcënohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›