E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka: “Me LSI-në dhe PDS-në do të krijojmë polin e tretë”

PAD-ja deklaron divorcin zyrtar nga koalicioni me Partinë Socialiste. Gati shpallja e një koalicioni të ri opozitar

Shaban Sulçe
Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, paralajmëroi dje lindjen e polit të tretë në skenën politike shqiptare. Ceka tha se ky rigrupim i ri, i përbërë nga LSI-ja, PAD-ja dhe PDS-ja, do të synojë që të bëjë oponencë reale ndaj qeverisë “Berisha”, por edhe lidershipit të Partisë Socialiste, që mbështeti kryeministrin për të ndryshuar Kushtetutën. “Do të shohim se si do ta krijojmë këtë grupim, që do të jetë një pol i tretë politik, ku LSI-ja do të jetë forca qendrore. Ne duam të japim një alternativë tjetër”, - deklaroi Ceka, i cili shtoi se PAD-ja zyrtarisht nuk do të jetë më pjesë e koalicionit me Partinë Socialiste.
Ndryshimet e Kushtetutës
Presidenti i PAD-së, gjatë prononcimit të tij të djeshëm për mediat, denoncoi sërish ndryshimet kushtetuese, të cilat dëmtojnë rëndë demokracinë në vend. “Ndryshimet kushtetuese detyrojnë popullin të votojë dy partitë e mëdha politike, pa i dhënë asnjë të drejtë të seleksionojnë të ardhmen e partive të vogla. Këto ndryshime krijojnë një pushtet të jashtëzakonshëm të kryeministrit, pa i dhënë asnjë pushtet Presidentit të Republikës si pika kyçe e balancave të pushteteve dhe kontrolleve të pushteteve në kushtetutë dhe ulin autoritetin e deputetëve, duke i kthyer ata në nëpunës të partive politike apo të shefave të tyre”, - vijoi Ceka, i cili shprehu mbështetjen e PAD për protestat që paralajmëroi LSI-ja kundër ndryshimeve të Kushtetutës.
Ai foli gjithashtu edhe rreth nismës për të zhvilluar referendum për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese. Ceka tha se ekzistojnë mundësitë për mbledhjen e 28 firmave të nevojshme nga deputetët, ndërkohë që shtoi se priste një reagim pozitiv për mbrojtjen e Kushtetutës edhe nga deputetët e Partisë Demokratike. “Nëse do të ketë ndjeshmëri nga ata deputetë që u tërhoqën për arsye taktike mund të kërkohet një referendum për presidentin dhe kjo është pika për të bashkuar të gjitha votat”.
Qëndrimi i LSI-së
Krijimi dhe shpallja e polit të tretë në skenën politike shqiptare është inkurajuar edhe nga nënkryetari i LSI-së Dritan Prifti. “Ne jemi në fazat e para të ristrukturimit të një aleance të madhe e cila do të jetë aleanca e madhe që do të përballet realisht me Sali Berishën në vitin 2009. Ne kemi një arsye më shumë për ta marrë këtë iniciativë, sepse sikurse e përmenda më lart, tashmë një pjesë e PS-së është në bashkëqeverisje me Sali Berishën dhe maxhorancën e tij”, - tha Prifti. Nënkryetari i LSI-së foli edhe për protestat e paralajmëruara nga kjo forcë politike. “Ajo që ndodhi në Parlament është një gjë tepër e turpshme. Opozita u tradhtua nga Edi Rama dhe nga disa eksponent të PS-së, dhe detyra e LSI-së është të ringrejë opozitën shqiptare, sepse ajo opozitë që u shit tashmë është në bashkëqeverisje me Sali Berishën. Ne i drejtohemi popullit për të ringritur opozitën, dhe këtë gjë do ta bëjmë me protesta popullore, me konsultime të ndryshme, sikurse kemi filluar edhe sot me ekspertët më të mirë kushtetues të vendit, për të parë edhe idenë e referendumit. Sepse është e pamundur që 115 deputetë, kushdo qofshin ata, të rrëzojnë votimin e 2 milionë shqiptarëve, prandaj ne nga një Republikë Kryeministrore, do ta kthejmë Shqipërinë në një Republikë Parlamentare”, - tha nënkryetari i LSI-së Dritan Prifti.

Topalli: ”Berisha do t’u nënshtrohet interpelancave”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se interpelancat parlamentare me kryeministrin Berisha, të kërkuara nga Grupi Parlamentar i PS-së, do të realizohen në kohë. Deklarata e Topallit erdhi pas fjalës së kryetares së Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. “Interpelancat e kërkuara nga opozita nuk janë përfshirë në punimet 3-javore të Kuvendit. Prej mëse një muaji grupi i PS-së ka depozituar kërkesën për tetë interpelanca me kryeministrin dhe me disa ministra për çështje shumë të rëndësishme që lidhen me korrupsionin, varfërinë, rritjen e çmimeve dhe probleme të tjera që shqetësojnë qytetarët, por në kalendarin e ri ato nuk kanë hyrë”, - tha Leskaj. Por ky pretendim i saj nuk u pranua nga Topalli, e cila pohoi se interpelancat e kërkuara nga PS-ja me zyrtarë të lartë të qeverisë, do të përmbushen të gjitha në kohë. “Ju, zonja Leskaj, nuk keni qenë prezente në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, ku u miratua kalendari 3-javor i punës së Parlamentit”, - tha kryetarja Topalli.

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›