Shehu: ”I njëjti koalicion i djathtë edhe për 2009-n”
Nënkryetari i Partisë Demokrate e Re, Tritan Shehu, u shpreh dje për mediat se partitë e koalicionit të djathtë janë shprehur pozitivisht idesë për të mbajtur koalicion edhe në zgjedhjet e vitit 2009. “Një marrëveshje me shkrim mes krerëve të partive të djathta për këtë çështje, do të bëhet në një periudhë të dytë kohore, kur të kristalizohet vullneti i çdo force të koalicionit mbi të ardhmen dhe mënyrën e bashkëpunimit. Duhet të gjenden format për ta bërë këtë koalicion akoma më efektiv, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme, koalicioni i qendrës të djathtë të jetë fitues. Ruajtja dhe forcimi i koalicionit për zgjedhjet e ardhshme është e vetmja mënyrë dhe garanci për të arritur fitoren e qendrës së djathtë”, tha Shehu. I pyetur lidhur me propozimin e PR-së për krijimin e një federate të djathtë, Shehu u shpreh se e rëndësishme është dëshira për të forcuar koalicionin, pastaj deri në çfarë elementësh dhe si do të përcaktohen format e bashkëpunimit të koalicionit, kjo lidhet me propozimet e çdo partie brenda këtij koalicioni. “Mund të ketë zgjidhje dhe formula të ndryshme të këtyre forcave brenda koalicionit. Ne si PDR mendojmë se absolutisht duhet të gjenden format, për ta bërë këtë koalicion më të afërt dhe më racional në punën e tij”, - tha Shehu.
25 Prill 2008