Ceka: Nano të zbatojë premtimin për ndryshimin në qeveri
29/12/2004 Tryeza e aleatëve të "Koalicionit për Integrim", e cila pritet të zhvillohet në fillim të muajit janar, do të ketë qëndrime konkrete nga ana e partive të vogla të këtij koalicioni kundrejt mazhorancës. Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, është shprehur për "Metropol", lidhur me respektimin ose jo të kërkesës së tyre për ndryshime në qeveri nga ana e Kryeministrit, se "me këtë pikë kemi rënë dakord me Kryeministrin. Rezultati i tryezës së janarit dhe negociatave do të jetë mëse konkret". Alencisti Ceka pret nga ana e Nanos një respektim të asaj që ai i ka premtuar në tryezën e fundit të koalicionit, mbi bashkëpunimin në Ekzekutiv. Ceka tha se "Kryeministri ka pranuar se do të ketë ndryshime në qeveri. Pastaj shkalla dhe efekti janë çështje që do të mbeten për t'u diskutuar gjatë negociatave". Pas shumë deklaratash mediatike dhe debateve në tryezat e zhvilluara mes aleatëve të koalicionit, kreu i PAD-së i qëndron kërkesës për përfshirjen e partisë së tij me poste ministrore në qeverinë "Nano". Madje, ai kërkon natyrisht dhe një përfaqësim më të madh në nivelet e dyta dhe të treta. Sipas kreut të aleancistëve, ky përfaqësim duhet të jetë në funksion të rezultateve të qendrueshme që ka pasur PAD-ja. Ceka shprehet se "kërkesa ndaj Partisë Socialiste është e qartë. Ne kërkojmë të jemi jo vetëm të përfaqësaer në kabinet si Aleancë Demokratike, e lidhur kjo me rezultatet e qëndrueshme që kemi patur në zgjedhjet e shkuara dhe në sondazhin që u bë në Dushk, dy javë më parë, por dhe si pasojë e faktit që jemi një parti liberal demokrate". Gjithsesi, aleatët e vegjël të koalicionit janë të ndarë në qëndrimet e tyre kundrejt mazhorancës dhe këtë e vërtetoi votimi për Buxhetin e Shtetit në parlament, ku kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka munguar në seancë. Tashmë pritet që të ketë një tryezë përgatitore të PSD-së, PAD-së, PBDNJ-së, PDS-së dhe PAA-së për të sinkronizuar kërkesat dhe propozimet në tryezën e koalicionit, që drejtohet nga kryetari i PS-së, Nano.
Protokolli
Tryeza e disa javëve më parë e "Koalicionit për Integrim", solli një ribashkim të votave të aleatëve të PS-së për votimin e buxhetit të shtetit. Ndërsa është arritur dhe në vendimin që ndryshimet e emrave të ministrave të jenë vetëm pas analizave vjetore, që tashmë kanë nisur. Pas inventarit të punës në të 17 ministritë, kreu i qeverisë, sipas marrëveshjes, duhet të parashtrojë emrat e ministrave që mund të largohen. Ndërsa do të jenë bisedimet me partitë e koalicionit që do të vendosin se cilat ministri do të jenë në dispozicion të aleatëve të PS-së. Burimet kanë thënë se deri më tani, PAD pretendon Ministrinë e Kulturës, PAA ka kërkuar Ministrinë e Mjedisit, PSD dhe veç Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale kërkon dhe Arsimin. Në të kundërt me këto, PBDNJ pranon që të mos ketë ndryshime në qeveri, duke u shprehur e kënaqur me Ministrinë e Shëndetësisë. Megjithatë do të jetë muaji janar që do të zbardhë lëvizjet e mundshme.