E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ljungberg në krizën e migrenës

29/12/2004  

Mesfushori i Arsenalit, Fredi Ljungberg, ka pranuar se faji kryesor për rritjen e krizave të migrenës mbetet vetëm tek ai dhe askush tjetër. Dhimbjet e forta të kokës dhe shpeshherë të papritura, e kanë bërë lojtarin suedez që t’i drejtohet një vizite mjekësore, duke iu nënshtruar skanimit në tru. E megjithatë, rikthimi i Ljungberg ka arritur të nxjerrë në pah, vlerat e tij më të mira si futbollist profesionist, ku ditën e dielë gjatë derbit londinez me Fulhamin në “Hajbëri Park”, ai krijoi raste të shumta në ndihmë të skuadrës. Por, për fat të keq ai nuk ka arritur të jetë në dispozicion të trajnerit Venger, si pasojë e dy dhembjeve të papritura dhe të forta në kokë, të cilat ishin shkaktuar nga migrena. Goditja e parë shokuese ka ardhur në takimin e rëndësishëm të Ligës së Kampioneve, kundër Rozenborgut. Në vend që ai të kërkonte një periudhë pushimi të detyruar nga kushtet e rënduara, Ljungberg vazhdoi pa u shqetësuar shumë seancat stërvitore, pasi synonte të ishte prezent në supersfidën e Premier Ligës kundër Çelsit, vetëm pesë ditë më vonë. Kjo këmbëngulje nga ana e tij, rezultoi në një tjetër dhembje të fortë, e cila më pas e detyroi që të braktiste aktivizimin e tij me fanelën e topçinjve, si në takimin kundër Çelsit, por edhe në atë kundër Portsmuthit. Pas ndihmës nga stafi mjekësor i klubit, doktorët që e vizituan bënë të ditur se Ljungberg duhet të kishte pushuar menjëherë, qysh prej dhembjeve të para. Në fakt suedezi ka deklaruar se kishte vuajtur edhe më parë prej migrenës, qysh kur ishte një adoleshent, por asnjëherë nuk e kishin kapur dhembje të tilla kaq të forta prej gati dy vjetësh. “Është me të vërtetë e vështirë që të parashikosh migrenën dhe unë mbaj mend se kanë kaluar pothuajse dy vjet e gjysmë, qysh kur kam patur dhembjet e fundit, ka thënë Ljungberg. Më kanë thënë se çdo gjë do të kalonte shumë shpejt dhe se unë do të jetoja pa u shqetësuar aspak nga ky problem. Prandaj unë kam shpresuar shumë për këtë. Goditjet fillestare më ndodhën përpara takimit me Rozenborgun dhe unë ndoshta duhet të pushoja për të paktën një javë ose 10 ditë. Ne kishim për të zhvilluar takimin me Çelsin dhe unë nuk mund të merrja dot pjesë. Doktori me të cilin u vizitova atë javë, më tha se isha treguar jashtëzakonisht i keq me veten time, sepse po të kisha informacionin e duhur, mund të shmangia goditjen e radhës. Prandaj kisha nevojë që të merrja 10 ditë pushim. Në fillim e kisha tepër të vështirë, sepse po filloja të humbja ndjenjat dhe të vjellat nuk më pushonin. Ndihesha shumë keq dhe nga konsultat e tjera mjekësore, rezultoi se unë vetë po e nxisja këtë marrëzi të vërtetë me veten time. Pra, nëse nuk qetësohesha nga ana emocionale, dhembjet e kokës do të më rifillonin sërish me forcë më të madhe. Shpresoj që çdo gjë do të rregullohet dhe sigurisht, dua të mos humbas takimet më interesante në karrierën time. Kam nevojë për më shumë pushim dhe qetësi”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›