Daci: Të rriten marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë
29/12/2004 Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci dhe kryeparlamentari i Shqipërisë, Servet Pëllumbi, kanë zhvilluar dje një takim zyrtar në qytetin e Pogradecit, ku kanë shprehur rëndësinë e bashkëpunimit mes të dy institucioneve që ata përfaqësojnë. Burimet zyrtare kanë bërë të ditur se në takim është shprehur nevoja për shkëmbimin e eksperiencave mes parlamentarëve, në mënyrë që të ndikohet sa më pozitivisht në ecurinë e reformave në procesin e integrimit evropian. Ndërkohë, statusi përfundimtar i Kosovës është cilësuar si mundësia më e mirë për stabilitetin në rajonin tonë. Gjithashtu, kryeparlamentarët kanë deklaruar se është e rëndësishme plotësimi i standardeve të kërkuara prej Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në takim, Daci ka shprehur nevojën për marrëdhënie më të ngushta mes Prishtinës dhe Tiranës. Nga ana e tij, Pëllumbi ka shprehur urimet e tij për hapat që ka hedhur Kosova në drejtim të plotësimit të standardeve, ndërsa ka shprehur urimin që viti 2005 të shënojë zgjidhjen përfundimtare dhe të duhur të statusit të Kosovës. Në lidhje me këtë çështje, Shqipëria ka mbështetur idenë për pavarësinë e plotë të Kosovës, që do të sillte një zgjidhje të konflikteve etnike në rajon. Institucioneve të Kosovës u është kërkuar respektimi i të drejtave të njeriut, si për pakicat serbe, që jetojnë në Kosovë, ashtu dhe për pakicat me origjinë tjetër. Në lidhje me këtë, kosovarët kanë vendosur që në Kuvendin e tyre, 20 vende t'u lihen serbëve, ndërsa në qeveri, këto minoritete do të përfaqësohen me 2 ministra.