Ceka: Nesër përcaktojmë qëndrimin tonë për reformën
• Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, ka akuzuar dje dy partitë e mëdha, Partinë Demokratike dhe PartinëSocialiste se po bllokojnë reformën zgjedhore, në një moment të rëndësishëm kur pritet marrja e ftesës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Për këtë, partitë e vogla kanë vendosur të mblidhen gjatë ditës së nesërme për të gjetur rrugët e zhbllokimit të kësaj reforme. “Për të zgjidhur situatën ne do të bëjmë një mbledhje të enjten, ku do të bisedojmë se cilat janë rrugët për të dalë nga bllokimi i reformës, aq më keq nga humnera që po hapet për reformën zgjedhore në Shqipëri. Kjo e fundit, në vend që të sigurojë bashkëpunimin e të gjitha forcave politike në një moment sublim, siç është anëtarësimi në NATO, po mundohen t’i bëjnë varrin partive të vogla. Kjo është e pashembullt në historinë e klasës politike shqiptare”, u shpreh dje kryetari i PAD-së. Sipas tij, “dy bashkëkryetarët nuk po mbledhin komisionin, duke bllokuar procedurat. Ne sipas rregullores do të kërkojmë një mbledhje të këtij komisioni me kërkesë të 1/3 së anëtarëve të tij”, tha ai. Partitë e vogla kundërshtojnë dy forcat e mëdha politike se duan të vendosin një sistem, që do të përjashtojë ato nga zgjedhjet e vitit të ardhshëm.