E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS-PD, boshti i reformës

• Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi gjatë një konference për shtyp, se “lidhur me reformën zgjedhore, PS-ja synon një marrëveshje të madhe të të gjithë forcave politike, ku sigurisht PS-ja dhe PD-ja janë boshtet e patjetërsueshme të dy anëve të spektrit politik”.Aristir Lumezi Sipas tij, “tashmë debati për reformën zgjedhore ka hyrë në një fazë intensive dhe publiku po njihet me pozicionet e të gjitha palëve, por nga ana tjetër, në këtë intensitet komunikimi, shqiptarët po dëgjojnë plot të pavërteta”. “Çdo reformë prek një statusquo, prek interesa dhe si të tilla, reformat janë periudha intensive në raport me ato grupe interesi që përfshihen në to. Për më tepër, reforma zgjedhore, që është shumë delikate dhe në çdo demokraci perëndimore është një reformë e cila ngjall debate të zjarrta dhe polemika të ashpra, krijon aleanca apo divergjenca të papritura”, tha Rama.Në këtë drejtim, kreu socialist rikonfirmoi se, “PS-ja është e vendosur që ta bëjë këtë reformë, së bashku me të gjitha forcat e interesuara, për të ndryshuar statusquon”. Gjithashtu ai theksoi se “PS-ja është e vendosur që në këtë proces, jo vetëm të qëndrojë mbi interesat e pjesshme dhe të ngrihet mbi atë që mund të jetë një llogari e thjeshtë partiake, por njëkohësisht të komunikojë drejtpërdrejt me shqiptarët pa rënë në batakun e politikës së vjetër, të diversioneve, të akuzave, shpifjes dhe përbaltjes reciproke”. Duke e konsideruar këtë reformë si të lidhur me fatin e procesit të integrimit të vendit në NATO, Rama u shpreh se, “debati duhet të zhvillohet me pasion, por pa mllef”. “Pa dyshim që dyert tona janë dhe do të jenë të hapura për mikun tonë Ilir Meta dhe padyshim që unë uroj çdo ditë, që miku ynë dhe miku im Ilir Meta ta kuptojë se nuk është koha e ndarjeve të vjetra, por e një bashkimi të ri, se nuk është koha e llogarive të vogla partiake, por është koha e vënies të interesave të vendit mbi interesat e vogla partiake”, tha Rama. Në këtë drejtim, ai konfirmoi se, “PS-ja nuk do të kryejë një reformë zgjedhore që eliminon njërin apo tjetrin”. “Reforma zgjedhore kudo në botën demokratike për vetë natyrën e saj, i kapërcen pragjet e partive, i kapërcen pragjet e koalicioneve ekzistuese, sepse është një reformë që synon përcaktimin e rregullave të përbashkëta të lojës. Dhe rregullat e përbashkëta të lojës nuk vendosen me logjikën e palës, nuk vendosen as me logjikën e forcës, por vendosen me forcën e logjikës, duke bashkëpunuar me të gjitha palët”, u shpreh Rama. Sipas tij, “procesi i bashkëjetesës në një koalicion nuk mund të kondicionojë diktatin e askujt brenda koalicionit në raport me të tjerët dhe për më tepër pastaj, PS-ja nuk mund të vihet në diktatin e askujt sepse është partia më e madhe e majtë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›