E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humb semestrin, flijohet studentja

• Humbja e të gjitha provimeve në semestrin e parë të fakultetit, e ka shtyrë drejt vetëflijimit studenten e anglishtes.VLORE/ QEMAL BIRAKUKejda Hasanago, nga Çorovoda u gjet e mbytur mbrëmjen e së hënës pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë, pak minuta pasi ua kishte pohuar vendimin shoqeve të konviktit. Fjalitë e fundit të saj janë marrë si motiv prej hetuesve, ndërsa po verifikohen dhe dyshimet për shkaqe të tjera. Trupi i saj i pajetë u gjet rreth orës 23:00 në ujërat e Jonit, pasi ishte hedhur nga një shkëmb në gjendje të rëndë depresive. Policia kërkoi kryerjen e ekspertizës, prej së cilës rezultoi se mbi të nuk ishte ushtruar dhunë. Studentja 20-vjeçare e universitetit “Ismail Qemali” banonte në konvikt në dhomën 412, së bashku me 7 vajza të tjera. Prej disa muajsh ajo kishte filluar punë si kameriere, në një prej lokaleve pranë qytezës së studentit. Siç tregojnë shoqet e saj, Kejda njihej si vajzë e qetë, e cila nuk komunikonte shumë për jetën e saj private. Njëra prej tyre, Emanuela Kacabuni, e cila jetonte në një dhomë me viktimën dhe frekuentonte të njëjtin grup në fakultet tregon momentet e fundit kur komunikoi me Kejdën e pak minuta më vonë mësuan vdekjen e saj. I mbani mend veprimet e fundit të Kejdës dhe a vutë re ndonjë shqetësim të saj? Ajo erdhi në konvikt si zakonisht, në orën 15:30, dukej e qetë dhe pa ndonjë shqetësim që binte në sy. U largua pas një ore, duke na përshëndetur, por nuk na lindi ndonjë dyshim, sepse ajo gjithmonë ka qenë shumë e heshtur.Ju tha se ku do të shkonte?Jo, ajo asnjëherë nuk na thoshte se ku shkonte, por dhe ne nuk e pyesnim sepse ajo nuk na tregonte asnjëherë. Ndërkohë, ne e dinim që shkonte te puna, sepse ajo punonte ndonjëherë dhe pasdite përveç paradites.Kur u shqetësuat për shoqen?Vajti ora 22:00 dhe ajo po vonohej. E mora në telefon dhe e pyeta se ku ishte dhe pse nuk po kthehej në konvikt. Ajo më tha se nuk do të kthehej më në konvikt. “Nuk dua të jetoj më. Jam shumë e mërzitur. Nuk kam marrë asnjë provim të sezonit dhe familja nuk di asnjë gjë sepse nuk u kam thënë. Nuk dua të jetoj më në këtë botë”, më tha ajo.Si reaguat ndaj fjalëve të saj?I thamë se duhet të kthehej në konvikt. Nëse nuk do të vinte do të shkonim ta merrnim ne. Ajo na tha se nuk do të vinte më, se do të vdiste, se do të hidhej në det dhe pas këtyre fjalëve na mbylli telefonin. Mbas 5 minutash, të shqetësuara dhe duke qarë, e morëm sërish në telefon dhe iu lutëm të na tregonte se ku ishte por ajo na tha se ishte larg. Ne i thamë: Le të jesh larg, vijmë ne të marrim. Por, ajo u përgjigj se nuk donte të kthehej. Nuk na tregoi se ku ishte dhe na mbylli përsëri telefonin. E morëm përsëri, e hapi telefonin dhe na tha duke qarë: “Mos më merrni më në telefon ju lutem nuk dua të jetoj më, do të mbytem në det”. Më pas i ramë përsëri telefonit, por telefoni ishte i mbyllur.Si vepruat më pas?Njoftuam menjëherë kujdestaren e konviktit, e cila menjëherë njoftoi policinë dhe drejtorin, të cilët me sa morëm vesh filluan të kërkonin në bregdet. Kur morët vesh se Kejda ishte vetëmbytur?Rreth orës 23:30 e morëm vesh nga kujdestarja e konviktit. U tmerruam për atë që dëgjuam. Nuk kemi fjetur fare. Gjithë natën kemi qarë për shoqen tonë. E donim dhe na donte shumë.Si mendoni ju, cili ka qenë shkaku që e shtyu Kejdën për t’i dhënë fund jetës?Ne mendojmë se i vetmi shkak ka qenë mosmarrja e katër provimeve të sezonit, sepse ajo nuk ka kaluar në asnjë provim. Në disa prej tyre nuk është futur fare dhe disa të tjerë nuk i ka marrë dot. Për këtë gjë ajo nuk i ka treguar familjes së saj dhe disa herë na thoshte se e kishte shumë të vështirë t’ua tregonte.A vinte rregullisht Kejda në shkollë dhe në konvikt?Ajo shkonte në punë ku punonte si kameriere në lokalin “Torino” dhe nuk vinte rregullisht në shkollë, por gjithashtu kishte raste që nuk vinte dhe në konvikt. Por ne nuk i thoshim dot se ku ishte sepse ajo nuk na tregonte duke na thënë “mos më pyesni për jetën time private”. Kur vonohej nga puna, e merrnim në telefon dhe ajo na thoshte se nuk do të vinte po do të flinte te një njeriu i saj. Këtë gjë ne e besonim, se kur erdhi babai i saj na tha se kishte një njeriun e tyre në Vlorë. Kishit dijeni për ndonjë lidhje të saj? Nuk kishim kuptuar gjë në këtë drejtim, sepse nuk e kishim parë me ndonjë person, por dhe ajo nuk na hapej pasi ishte e heshtur dhe shumë e mbyllur. Kohët e fundit ishte bërë dhe më e heshtur. Kur vinte në konvikt ishte shumë e lodhur dhe studionte shumë pak. Ne mendojmë se i vetmi shkak ka qenë mosmarrja e provimeve të sezonit si edhe fakti që ajo nuk ia kishte treguar familjes këtë problem të sajin. Ndoshta ka pasur dhe ndonjë shkak tjetër por ne nuk e dimë, pasi ajo nuk na pati treguar gjë.Të njohurit e viktimës në policiPolicia mbasi ka gjetur trupin e pajetë të 20-vjeçares në det ka marrë në pyetje vajzat e dhomës, pronarin e lokalit ku punonte ajo, si dhe disa persona që kishin njohje me viktimën. Gjithsesi policia deri tani nuk ka dalë me ndonjë version tjetër, por ngelet me versionin e mbytjes me dashje për shkak të depresionit që ka pësuar mbasi nuk ka marrë dot provimet e sezonit. Nga ana tjetër, policia dhe Prokuroria nuk ka përjashtuar dhe pista të tjera të hetimit për të cilat po punohet intensivisht duke marrë në pyetje dhe disa persona. Ndërkohë, ekspertiza mjeko-ligjore konkludoi se vdekja e 20-vjeçares, Kejda Hasanago kishte ardhur si pasojë e mbytjes në det. Në trupin e saj nuk ka pasur asnjë shenjë dhune apo shenja të tjera. Familjarët: Ishte vajzë me sedërMesditën e djeshme, familja Hasanago ka tërhequr trupi e pajetë të vajzës nga morgu i spitalit të Vlorës për në banesën e saj në Çorovodë. Sipas të afërmve të Kejdës, ajo nuk ka pasur probleme me prindërit e saj, si dhe nuk i ka thënë askujt se ka pasur ndonjë shqetësim. Ata pohojnë se gjithmonë ajo ishte e heshtur dhe me shumë sedër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›