Vrasja e britanikut, gjendet karta e telefonit
• LEZHE - Policia e Lezhës ka mundur të gjejë edhe një tjetër provë që fajëson Mario Pjetrushin për vrasjen e të riut anglez, Eduard Krejthorne.Gjatë kontrolleve të imtësishme të ditëve të fundit në zonën ku ka lëvizur viktima dhe shokët e tij nga Shëngjini, uniformat blu zbuluan kartën e telefonit të përdorur nga 21-vjeçari nga Londra. Sipas burimeve të policisë, karta telefonike e Eduardit është gjetur rreth 10 metra larg banesës së Mario Pjetrushit, i arrestuar bashkë me Arlind Vukajn për krimin e shtetasit të huaj. Kjo provë i është bashkuar sendeve të tjera që u janë bllokuar dy të rinjve të arrestuar për ekzekutimin e anglezit, për qëllime grabitjeje. Ndërsa dje, një ditë pas ceremonisë së varrimit në Lezhë të anglezit, një telegram ngushëllimi i është dërguar familjes së viktimës nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Me anë të telegramit, kreu i shtetit i ka shprehur ngushëllimet e tij nënës së Eduardit për humbjen e tij në mënyrë tragjike. “Drejtësia shqiptare do të godasë pa mëshirë autorët e kësaj vepre makabër, e cila nuk pasqyron aspak vlerat e lashta të dashurisë, mirësjelljes dhe mikpritjes së popullit shqiptar ndaj mysafirëve të një vendi tjetër”, citohet Presidenti Topi. r.n