“Rama kishte frikë të hynte në zgjedhje”
• “Edi Rama kishte frikë nga Berisha të hynte në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës”.Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka treguar dje në emisionin “Studio e hapur” në “Alsat” me gazetaren Eni Vasili, marrëdhënien e tij me kryetarin e PS-së, Edi Rama në momentet më të vështira kur Rama rrezikohej të kandidonte për kreun e Bashkisë së Tiranës dhe garantimin në të njëjtën kohë të drejtimit të kësaj partie. Sipas Metës, Rama po bashkëpunon sot me Sali Berishën, i cili sot është bërë pjesë e politikës së re dhe pse në shkurt të 2007-ës kishte frikë nga manipulimi i zgjedhjeve. Duke sqaruar deklaratat e drejtuesve socialistë rreth ambicies së tij për kryeministër, Meta ka treguar një pjesë të debatit me Ramën për standardet e zgjedhjeve vendore. “Nuk kemi bërë ndonjë bisedë me zotin Rama dhe me asnjë përfaqësues të PS-së. Ky është një provokim nga ana e PS-së. Rama edhe kur bëmë marrëveshje në Presidencë për certifikatat, s’donte të hynte në zgjedhje sepse kishte frikë se Berisha do i vidhte përsëri zgjedhjet. Të huajt që monitoronin negociatat shprehën dyshime të forta për qëndrimin e Ramës, që nuk pranonte të hynte në zgjedhje. Unë i sqarova ata se, “frika e Ramës vjen nga mungesa e garancisë së Berishës për respektimin e votës së lirë. Por edhe pse u arrit marrëveshja, ai s’donte të hynte në zgjedhje. Unë i thashë se, nëse ti nuk hyn në zgjedhje, nuk mund të bëhemi përpara ndërkombëtarëve bllokues, ndaj i propozova që të hyj unë për të luftuar për Bashkinë e Tiranës dhe ti shko bëhu deputet në Skrapar, që të hysh në Parlament. Ky ka qenë i vetmi diskutim me Ramën për bashkinë apo kryeministër që disa zotërinj të PS-së e komentojnë si ambicien time”, tha Meta. Duke folur për prishjen e tryezës opozitare dhe të koalicionit, Meta theksoi se, ky koalicion nuk funksiononte që pas zgjedhjeve vendore. “Tryeza është prishur, sepse nuk ka një qëndrim të përbashkët mes partive opozitare. Ne nuk mund të pranojmë zgjidhjet e boshtit PD-PS dhe do takohemi me ta në zgjedhje dhe me të gjithë ata që bëjnë gjoja se janë të majtë, por që për interesa afatshkurtra dhe personale po i bëjnë një shërbim Berishës”, u shpreh Meta. Por sipas kreut të LSI-së, koalicioni i majtë pushoi së funksionuari pas dështimit të mbrojtjes së prokurorit të Përgjithshëm në Kuvend dhe shkarkimit të tij, duke lënë të kuptohet se zgjedhja e prokurores së re të Përgjithshme ka ndihmuar në arritjen e një pakti bashkëpunimi për interesat integruese të vendit. “Problemet janë më të hershme, kanë të bëjnë me konceptimin e këtij koalicioni dhe PS-ja e ka parë atë si afatshkurtër, që ka qenë rizgjedhja në krye të Bashkisë së Tiranës dhe garantimi i kreut të PS-së. Koalicioni realisht ka përfunduar që me largimin e padrejtë të prokurorit të Përgjithshëm”, shtoi Meta. Sipas tij, këmbëngulja e Ramës në marrëveshje me Berishën tek sistemi spanjoll rajonal, do të çojë të majtën në humbjen e radhës në zgjedhjet e ardhshme. “Ne po denoncojmë një humbje të sigurt të së majtës në zgjedhjet e ardhshme dhe nuk ndjehemi ne shkaktarë të kësaj humbjeje, pasi marrëveshje me Berishën në kurriz të së majtës nuk e kemi bërë ne”, u shpreh Meta. Ftesë në studio Ilir Meta e ftoi Edi Ramën në studion e “Alsat” të ballafaqohej para shqiptarëve për sistemin zgjedhor dhe bashkëpunimin e fshehtë me Sali Berishën. “Unë e ftoj këtu në studion tuaj dhe të bëjmë një ballafaqim para shqiptarëve. Ai nuk është as i majtë, as i djathtë, ai është i hapur, unë jam i hapur”, tha Meta. Sipas tij, Rama është i mirëpritur të vijë në koalicionin e ri “E majta për integrim”, vetëm nëse ai do të reflektojë dhe nëse kupton se Berisha do e hedhë poshtë ashtu siç e ka hedhur edhe herë të tjera”, u shpreh Meta. Sipas tij, koalicioni i ri është i hapur për faktorë të rëndësishëm. “Ne s’kemi dalë të mbledhim deputetë, por nuk përjashtojmë deputetë, kryetarë bashkish, komunash, etj. Njerëzit duam të vijnë me bindje tek ky koalicion”, shtoi ai.Ndoka: Bashkëpunojmë me LSI-në për reformënKryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka lënë të hapur bashkëpunimin me LSI-në për reformën zgjedhore. Duke folur në një konferencë për shtyp, kreu i PDK-së, tha se megjithëse këto dy parti janë në opozitë me njëra-tjetrën, asgjë nuk i pengon të bashkëpunojnë për një çështje kaq të rëndësishme sa ç’është reforma zgjedhore. “Pa pasur formën përfundimtare të ligjit zgjedhor asnjëherë nuk mund të ketë një vendim të PDK-së. Ne jemi pjesë e kësaj maxhorance. Besoj dhe dëshiroj që PD-ja të shprehet për qëndrimin e saj. Me të vërtetë që zoti Meta sot është kundërshtar politik i PDK-së, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të bashkëpunojmë për çështje të rëndësishme, aq më tepër për çështjen e reformës zgjedhore, do të jetë një bashkëpunim permanent”, deklaroi Ndoka. Kreu i PDK-së, prezantoi dje Hamit Kostën, i cili kaloi në radhët e kësaj partie, pasi doli i pavarur. Deputeti Kosta deklaroi se, “ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe vlerësimi për partinë politike ku kam bërë pjesë dhe ato parti që kanë një program me sjellje të përshtatshme në vizionin tim, për shtetin dhe demokracinë”.