Formulari për të marrë me qira tokat e pandara me Ligjin 7501
Urdhri i Ministrisë së Bujqësisë përcakton kontratën e qirasë për 137 mijë ha tokë. Deri në kompensimin e ish-pronarëve, tokat me tjetër destinacion
Erald Kapri
Ministria e Bujqësisë ka lëshuar një urdhëresë ku përcakton kontratën dhe detyrimet për lëshimin me qira të 137590 hektarëve tokë që figurojnë si të pandara me Ligjin 7501. Këto toka në pronësi shtetërore do të lëshohem me qira për çdo të interesuar. Tokat e pandara me Ligjin 7501 janë parë si mundësi e mirë për kompensimin e ish-pronarëve. Shtyrja e vazhdueshme e këtij procesi ka bërë që Ministria e Bujqësisë t’i shfrytëzojë këto toka bujqësore për qëllimet e shtetit. Ish-pronarët tashmë duhet të mësohen me idenë se tokat për momentin nuk do të jenë disponibël për Agjencinë e Pronave, por do të shfrytëzohen. Nga i gjithë fondi i tokave, rezultojnë 26 377 ha me origjinë nga ish-ndërmarrjet bujqësore që emërohen “disponibël shtetëror” dhe 111 200 ha me origjinë nga ish-kooperativat bujqësore, që evidentohen si “fond i tokave të pandara”.
Udhëzimi
Ministria e Bujqësisë ka përcaktuar me anë të Urdhrit Nr.234 të gjithë procedurën e qiradhënies së tokave të pandara. Kontratës i bashkëngjitet planimetria përkatëse e tokës së dhënë me qira. Ndërkohë, pushteti vendor duhet t’i garantojë qiramarrësit përfshirjen e sipërfaqes së tokës në programet e zhvillimit rajonal me kushte të barabarta me të gjitha pronat tokë bujqësore që posedohen nga pronarët e tjerë të ligjshëm si dhe t’i garantojë qiramarrësit pagimin e detyrimit dhe taksave financiare që rëndojnë mbi tokën bujqësore, për të gjithë kohën që kontrata është në fuqi. Pushteti vendor, pra komunat, duhet të ushtrojnë kontrolle periodike mbi gjendjen e fondit të tokës bujqësore, zbatimin e dispozitave të ligjit për mbrojtjen e tokës. Para fillimit të kontrollit të njoftojë qiramarrësin dhe në fund të çdo kontrolli t’i dorëzojë procesverbalin me detyrat konkrete dhe të bazuara ligjore. Në çdo rast, kur konstaton se qiramarrësi e ka dhënë tokën me nënqira pa pëlqimin e tij, ka të drejtë të kërkojë prishjen e kontratës.
Qiramarrësi
Qiramarrësi i tokave ka për detyrim që të paguajë qiranë e tokës sipas vendimit të BQTBP-së të pasqyruar në kontratë. Pagesa e qirasë kryhet çdo fund tremujori, në masën 25 për qind të shumës së qirasë vjetore. Personat e interesuar për të marrë tokë bujqësore me qira duhet t’i sigurojnë komunës që toka do të përdoret vetëm për veprimtari bujqësore dhe blegtorale, të ruajë kategorizimin e resursit si “tokë bujqësore” si dhe të zbatojë një praktikë të mirë bujqësore të përcaktuar në ligjin për “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”. Njëkohësisht, toka duhet të shfrytëzohet mbi të drejtën e përcaktuar në ligj për tokën bujqësore që të sigurojë të gjithë bazën materiale dhe infrastrukturën për kryerjen e veprimtarisë bujqësore e blegtorale mbi tokën bujqësore. Qiramarësi nuk duhet të japë me nënqira tokën bujqësore pa marrë pëlqimin e qiradhënësit me shkrim.
Detyrat
Të dyja palët, si qiradhënësi dhe qiramarrësi, duhet të paraqesin pretendimet respektive për ndryshimin e kushteve të kontratës palës tjetër dhe kjo lejohet të bëhet 180 ditë para se të kërkohet zbatimi i veprimit të kërkuar. Gjithashtu, kalimi i pjesshëm ose i plotë i tokës bujqësore të dhënë me qira në tokë urbane, sipas miratimit të KRRTRSH-së, nuk mund të bëhet më shpejt se një vit nga koha e marrjes së vendimit. Sipas urdhrit të qeverisë, në këtë rast qiradhënësi detyrohet të kompensojë qiramarrësin për shpenzimet e kryera në përputhje të dispozitave përkatëse të Kodit Civil dhe të ligjeve të tjera të veçanta. Në raste të kundërshtueshme me ligjin, qiradhënësi paguan gjobë 1 për qind të çmimit të qiradhënies për çdo ditë vonesë në dorëzimin e tokës, duke filluar nga data e përcaktuar në procesverbal për dorëzimin e tokës. Po ashtu, qiramarrësi paguan gjobë 1 për qind të detyrimit për çdo ditë vonesë në pagesën e qirasë së përcaktuar në kushtet e kësaj kontrate.
Ligji 7501, u ndanë 563 mijë hektarë tokë
Sipas një relacioni të Ministrisë së Bujqësisë deri sot me veprimin e Ligjit 7501 si tokë e ndarë figuron të jenë ndarë rreth 563 mijë hektarë, ndërkohë që tokat e pandara ose në pronësi të shtetit mbeten rreth 137 mijë hektarë. Ky informacion i Ministrisë së Bujqësisë nënvizon se lidhur me këtë situatë ky dikaster e gjykon të domosdoshme hartimin e një ligji të ri, i cili duhet të jetë më eficient në zgjidhjen e problemeve të shumta, të cilat ligji i kaluar nuk u ka gjetur zgjidhje, probleme këto që kanë të bëjnë me evidentimin e ndarjes së tokës. Maxhoranca dhe opozita kanë mbajtur qëndrime të ndryshme në lidhje me këtë çështje. Pala e majtë theksoi se meqë qeveria ka ngritur një grup pune lidhur me draftin për këtë çështje, amendamenti i deputetit Madhi për shfuqizimin e Ligjit 7501 është i panevojshëm.
22 Shkurt 2008