Ceka: Pas dy vjetësh do të kthehem në PD
Partitë e vogla të djathta nisën të kërkojnë bashkimin me Partinë Demokratike. Pas shkrirjes së PDR-së së Genc Pollos me Partinë Demokratike, partitë e tjera të djathta kanë kërkuar të rihyjnë në kampin demokrat. Kreu i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, thotë se partia e tij, Aleanca Demokratike, do të vazhdojë funksionet si forcë politike deri në zgjedhjet lokale të vitit 2011 dhe më pas mund të shkrihet me Partinë Demokratike. Ai thotë se tashmë Kodi i ri Zgjedhor e bën të pamundur mbijetesën e partive të vogla dhe shkrirja me partitë e mëdha është e vetmja zgjidhje për të ruajtur disa nga vlerat që mbartin këto forca politike. "Ky ka qenë një opsion edhe para zgjedhjeve, por duke parë se sistemi favorizon partitë që futen në front, pra sa më shumë parti të merrnin pjesë në fushatë elektorale, aq më shumë shanse kishte koalicioni që të fitonte, Aleanca Demokratike qëndroi më vete. Ajo ruajti pavarësinë e saj. Besoj se kjo do të ketë vlerë edhe për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ne nuk mendojmë që procesi i shkrirjes, integrimit, do kryhet para këtyre zgjedhjeve. Pas atyre zgjedhjeve, në qoftë se do qëndrojë po ky kod që kemi, atëherë natyrisht që zgjidhja më e mirë për Aleancën Demokratike është integrimi në PD", thotë Ceka. Për sa i përket marrëveshjes paraelektorale me PD-në, Ceka thotë se ai ka kontaktuar disa herë me Kryeministrin Berisha dhe se vetëm pas mbarimit të negociatave me të gjitha partitë e tjera do të shikohet nëse PAD mund të zërë ndonjë pozicion në qeverisje.