E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: PS, si ekipi që pëson gol në pozicion jashtë loje

Ish-kryeministri Pandeli Majko hedh poshtë pretendimet se në Partinë Socialiste ka mungesë demokracie të imponuar nga lidershipi i saj. Në një prononcim për "Top Channel", ai i ka cilësuar debatet e fundit në gjirin e socialistëve si pjesë të një gare dhe fushate normale në një forcë politike me demokraci të brendshme. "Procesi i korrigjimit ka formuar një debat përtej kufijve të caktuar. Unë nuk dua ta sakrifikoj këtë histori debati. Kjo që po ndodh, mund të zhvillohet brenda kufizave të normalitetit. Kjo ka të bëjë me ambicien. Politika mund të kthehet në një gjë pa kuptim", është shprehur Majko. Transparenca në shpalosjen e këndvështrimeve, qoftë edhe të kundërta, sipas tij, mbetet tregues se mendimi ndryshe është pranuar si pjesë normale në jetën politike të socialistëve. "Nuk mendoj se për momentin në PS mund të flitet për mungesë të demokracisë së brendshme. Mendoj se në këto momente ne na duhet të ruajmë ekuilibrin, sepse kemi një histori më të rëndësishme se demokracia e brendshme, demokracia e Shqipërisë", ka pohuar Majko. Anëtari i Kryesisë së PS-së, pavarësisht se pranon nisjen e procesit të vetëkorrigjimit, është shprehur kundër lënies përgjysmë të projektit politik të nisur nga kreu aktual në detyrë Edi Rama. "Projekti politik i PS-së nuk duhet të konsiderohet si një projekt që humbi për arsyet e veta. Unë nuk jam dakord me këtë dhe do ta shpreh mendimin tim edhe në kongres. Duhet të ketë një balancë me ata që mendojnë ndryshe. Kur sipari të mbyllet, gjërat dalëngadalë do të qetësohen", thekson Majko. Sipas tij, momenti është delikat e i vështirë, por kjo është arsyeja përse është thirrur një kongres i jashtëzakonshëm. "PS ka mbetur elementi më i fuqishëm opozitar dhe marrja e vendimeve është shumë e rëndësishme. Ne nuk do marrim vendime vetëm për situatën brenda nesh, por për vendin", nënvizoi Majko. Në vlerësimin e Majkos, ajo që ka ndodhur në zgjedhjet e qershorit të kaluar, duhet parë ashtu siç është dhe jo sipas një formulimi statutor.

"Nga pikëpamja matematikore e rezultantes që ka ndodhur, në Parlamentin e ardhshëm PS-ja është në opozitë, por kjo duhet parë më gjerë dhe lidhur me këtë ka qenë një pjesë e debatit të zhvilluar dje në Kryesinë e PS-së dhe mendoj që do të vazhdojë", tha ai. Majko situatën e shpjegon me shembullin e një skuadre që i është bërë një gol në pozicion jashtë loje dhe nuk mendon se për këtë duhet t‘i drejtohen të gjithë trajnerit. Opozita, premtoi ai, do të jetë racionale, e fortë dhe kur theksoj këtë, supozoj egërsi dhe për numrin që ka prodhuar ky sistem, e frikshme. "Dhe këtë e them në bazë të eksperiencës parlamentare që unë kam. Të mos mendohet se ajo qeveri që fitoi me ilegjitimitet zgjedhjet do të ketë një fushë me lule përpara", shtoi Majko. Ai sqaroi se për sa i takon debatit për ndryshimet në statutin e PS-së, "në çdo rast ai, parimin bazë ka të drejtën e zgjedhjes. Mendoj që për të gjithë kandidatët që do të ofrohen për postin e kryetarit u afrua një hapësirë më se e mjaftueshme, qoftë në faqet e gazetës ZP, qoftë me përfaqësues në komisionet zgjedhore dhe elementë të cilët unë i konsideroj të natyrshëm për një fushatë. Ndërsa një diskutim, i cili në një mënyrë apo një tjetër i thotë dikujt që duhet të kandidosh, mendoj se është jashtë logjikës së diskutimit për një fushatë normale". Majko këmbëngul se nëse dikush mendon që ish-kryetari i PS-së nuk duhet të rikandidojë për këtë apo atë post, kjo i kalon limitet e një fushate normale brenda një partie. "Secili ka të drejtën e vet të shkojë tek anëtarësia, të shpjegojë arsyet e veta pse kandidon, të shpjegojë arsyet edhe pse dikush nuk duhet të rizgjidhet në një pozicion të caktuar, por nuk mundet që nëpërmjet rregullave të imponuara t‘i thotë dikujt për një arsye të caktuar që ti nuk duhet të rikandidosh", vlerëson Majko. Gjërat në Shqipëri, tha ai, për një situatë jo standarde, nuk duhet të orientohen drejt gjërave strikte, siç janë shkruar në rregulloret e partive. "Mendoj se, pa dashur të kontestoj faktin që dikush në PS thotë se Edi Rama nuk duhet të rikandidojë për kryetar, unë këtë e shoh më gjerë dhe jam i bindur që statuti i PS-së dhe qëllimet politike të PS-së duhet të ecin paralel dhe jo të përplasen me njëra-tjetrën", u shpreh Majko.

Kongresi

Zgjedhjet, PS shpalos

të shtunën raportin

Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste pritet të mblidhet ditën e shtunë, më 29 gusht. Rreth 1500 delegatë do të shqyrtojnë situatën politike në vend dhe zhvillimet brenda selisë rozë. Në pjesën e parë ata do të ftohen të ndjekin raportin e asaj çka nga politika zyrtare e PS-së cilësohet "krim elektoral i 28 qershorit". Një kopje e këtyre të dhënave që u janë dërguar edhe përfaqësive diplomatike të akredituara në Tiranë, do t‘i jepet edhe çdo delegati të pranishëm. Pjesa tjetër do të jetë e mbyllur për shkak se do të zhvillohen diskutimet për problemet organizative dhe situatën në të cilën ndodhet partia. Pjesa e fundit pritet të jetë e hapur dhe që ka të bëjë me shpalosjen e kandidaturave për kryetarin e ri të Partisë Socialiste. Sipas gjasave, kongresi do të zgjasë jo vetëm paradite, por edhe pasditen e 29 gushtit, për shkak të axhendës së ngjeshur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›