E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsensusi i Ramës: Duhet ndryshim statuti, por më vonë

Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, brenda 24 orëve pas mbledhjes së "kupolës rozë" dhe më pak se 48 orëve nga fillimi i Kongresit të Jashtëzakonshëm bëri publike vendimet në bazë të së cilave do të zhvillohet mbledhja e forumit më të lartë partiak më 29 gusht. Kongresi i Jashtëzakonshëm do të jetë i hapur për mediat vetëm për dy çështje. Së pari, mediat do të lejohen vetëm gjatë prezantimit të raportit për zgjedhjet e 28 qershorit dhe së dyti për prezantimin e kandidatëve për kryetar të Partisë Socialiste. Kodheli informoi se kryesia është "pro" reformave statutore të partisë dhe rregullave që normojnë funksionimin e PS-së, por ato nuk duhet të jenë të kushtëzuara nga emocionet e garës politike. "Në kryesi mbizotëroi mendimi që është e nevojshme kryerja e një reforme statutore dhe e rregullave që normojnë funksionimin e Partisë Socialiste, e cila nuk duhet të jetë e diktuar nga ndërhyrje pjesore dhe në kushtet e emocionalitetit të konkurrimit politik", theksoi Kodheli. Ndryshimet në statut synonin të ndalonin rikandidimin e Edi Ramës si kryetar i partisë që ka humbur zgjedhjet. Propozimet erdhën nga një grup anëtarësh të kryesisë, të cilët kërkuan gjithashtu që punimet e kongresit të ishin transparente për publikun. Por zëdhënësja e kryesisë informoi se kongresi do të ishte i hapur për mediat vetëm për dy çështje: prezantimin e raportit për atë që socialistët e quajnë krim elektoral të 28 qershorit, si dhe kohës së prezantimit të platformave të kandidatëve. Sipas Kodhelit, procesi i konkurrimit ndërmjet kandidatëve për kryetar të Partisë Socialiste do të jetë konform Kodit Zgjedhor të partisë, "duke iu garantuar akses të plotë të gjithë kandidatëve nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në të gjithë piramidën e strukturave që do të merren me organizimin e këtij procesi". Paketa "Blushi" përmban dhjetë pika, duke synuar ndryshimin e shumë prej neneve të tij. Platforma synon zgjerimin e hapësirave demokratike, të cilat, sipas kritikëve të Ramës, janë ngushtuar ndjeshëm nga ky i fundit. Ndryshimi i statutit në nenin që nuk qartëson rikandidimin e kryetarit të partisë në rast të dorëheqjes, duket se do të jetë një prej pikave më të nxehta në Kongresin e Jashtëzakonshëm, pasi platforma kërkon rikonceptim për të drejtën morale për rikandidim. Një tjetër pikë synon që të rriten kompetencat e kongresit. Në të thuhet se kongresi i partisë analizon veprimtarinë e saj gjatë periudhës ndërmjet dy kongreseve dhe përcakton objektivat kryesore për të ardhmen.

Kongresi miraton programin dhe statutin e partisë dhe bën ndryshime e përmirësime në to. Përfaqësia e kongresit administron kandidaturat për kryetar të PSSH-së, shoqëruar me kërkesat për kandidim dhe platformat për drejtimin e partisë të paraqitura prej tyre. Kandidatët për kryetar të PSSH-së duhet të kenë të paktën një mandat përfaqësimi politik si të zgjedhur në AK të PSSH-së. Kandidatët për kryetar të PSSH-së paraqesin në kongres platformat e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›