Zjarri djeg 8 hektarë kullota
Shkrumbohen 8 hektarë kullota në Gjirokastër ndërkohë që zjarrfikësit nuk kanë ndërhyrë dot si pasojë e terrenit të vështirë. Vatra e zjarrit është regjistruar orët e fundit të mbrëmjes të së mërkurës, në kodrën e fshatit Shën Todër në Komunën e Lunxhërisë, rreth 8 kilometra në lindje të qytetit të Gjirokastrës. Sipas banorëve të fshatit, flakët janë pikasur rreth orës 22:00 të mbrëmjes, duke u përhapur me shpejtësi në të tërë zonën. Të gjendur përballë kësaj situate dhe vonesës së zjarrfikësve, banorët janë përpjekur të shuajnë flakët me mjete rrethanore. Së bashku me kullotat, janë djegur edhe dy stane të braktisura para dy muajsh të cilat nuk i përdorte askush.