E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Duhet forcuar shteti ligjor

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ishte dje pasdite në qytetin e Shkodrës, i ftuar në iftarin e shtruar nga klubi kulturor "Drita". Nga Shkodra, kreu i shtetit deklaroi se vendi duhet të bëjë më shumë në forcimin e shtetit ligjor dhe forcimin e shërbimit ndaj qytetarit dhe përveç institucioneve për të arritur forcimin e shtetit ligjor, rol ka dhe besimi në Zot. Më tej Presidenti i Republikës apeloi për të kthyer sytë nga njerëzit në nevojë në këto ditë të madhërueshme, pasi jo të gjithë njerëzit i kanë arritur standardet. Por ajo që ra në sy në këtë iftar ishte mungesa e drejtuesve të Myftinisë Shkodër dhe klerikëve të besimeve të tjera, si dhe të drejtuesve të pushtetit lokal, ku pavarësisht prezencës së Presidentit të Republikës, mungonte prefekti dhe kryetari i bashkisë. Iftari i shtruar për nder të Presidentit Bamir Topi është kryer në ambientet e hotel "Rozafa"-s, ku ishin të pranishëm besimtarë të besimeve të ndryshme, intelektualë dhe figura të njohura të qytetit të Shkodrës. Oratorë dhe teologë të ndryshëm në fjalën e tyre përcollën mesazhin e tolerancës fetare dhe ndihmës që duhet t‘i japim njëri-tjetrit në këto ditë të madhërueshme. Ndërsa në fjalën e tij, Presidenti Topi në fillim u ndal te toleranca fetare dhe rëndësia e festave fetare, duke u shprehur se "është kënaqësi që ndodhem këtu dhe e pranova po me kënaqësi ftesën, pasi është një moment i rëndësishëm për çdo besimtar. Jemi mësuar që festat t‘i festojmë së bashku, pavarësisht besimit. E kam thënë dhe po e them sërish këtu në Shkodër, se ky është një nga standardet tradicionale që ne e kemi arritur me kohë. Besoj se është një nga standardet ku vështirë se gjen paralelizëm për një shoqëri moderne", u shpreh Topi. Kështu, vijoi ai, së bashku kemi një moment reflektimi në këtë ditë të shënuar, për më shumë tolerancë, për të ndërtuar vlerat e vërteta për shoqërinë tonë. Duke lidhur zhvillimet politike me ditët e muajit të madhërueshëm të Ramazanit, Presidenti Topi u shpreh se "kemi arritur disa momente të rëndësishme në jetën politike. Sot jemi vend i NATO-s dhe shumë shpejt do jemi në BE. Krahas këtyre arritjeve duhet më shumë për të forcuar shtetin ligjor dhe shërbimin ndaj qytetarit". Sipas tij, institucioneve dhe në veçanti forcave të rendit u është dashur dhe u duhet të përballen me krimin për të arritur forcimin e shtetit ligjor. "Por për të arritur forcimin e shtetit ligjor dhe për të forcuar shërbimin ndaj qytetarëve ka rol dhe besimi në Zot", theksoi Topi. Në fund të fjalës së tij Presidenti Topi përcolli mesazhin e bashkimit dhe të ndihmës për njerëzit në nevojë, duke u shprehur se "Zoti është një, pavarësisht se kemi besime të ndryshme. Kjo ditë bën të përçojmë besimin te Zoti, te shoqëria jonë, të shohim njëri-tjetrin dhe të qëndrojmë afër njerëzve në nevojë, pasi jo të gjithë e kanë arritur standardin". Të gjithë së bashku, vijoi Topi, me besimin te Zoti, tek institucionet e te shoqëria jonë, do jemi në rrugë të mbarë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›