E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceka: Premtojmë siguri për bizneset

Presidenti i PAD-së, Neritan Ceka, vijoi takimet elektorale në fshatrat e Qarkut të Elbasanit. Gjatë këtyre bashkëbisedimeve, kreu i PAD-së u takua me fermerë të këtyre fshatrave, ku u interesua për prodhimin e tyre, problemet dhe shqetësimet që ata hasin gjatë gjithë kohës me produktet. Ceka premtoi se në mandatin e dytë qeverisës, mazhoranca do t‘u kushtojë një vëmendje më të madhe fermerëve dhe do të krijojë ligjin për sigurimin e bizneseve. Ceka theksoi se gjatë këtyre katër viteve është bërë shumë nga qeveria, sidomos në infrastrukturë, në luftën kundër krimit dhe trafiqeve, në forcimin e ekonomisë etj. Por, shtoi ai, në mandatin e dytë vëmendje të veçantë do t‘u kushtohet bizneseve në fshat. Ceka kërkoi nga banorët e Qarkut të Elbasanit që të votëbesojnë edhe njëherë qeverinë e djathtë për të mbaruar projektet e mbetura përgjysmë, pasi kjo qeveri ka rezultuar efikase gjatë mandatit të saj të parë. Kreu i PAD-së është një ndër kandidatët për deputet në Qarkun e Elbasanit dhe vlerëson se elbasanllinjtë e njohin mirë dhe do ta votojnë për t‘i përfaqësuar në Parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›