Glover, 19 ditë në Tiranë. Ende mbetet "e padëshiruar"
Diplomacia shqiptare vazhdon të refuzojë njohjen e misionit vëzhgues të ODIHR-it në Shqipëri për zgjedhjet e 28 qershorit. Sot shënojnë 19 ditë që nga momenti kur ky mision filloi zyrtarisht punën në vendin tonë. Kjo kohë nuk ka mjaftuar që Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, të takojnë zyrtarisht kryesuesen e misionit, Audrey Glover. Burimet diplomatike pranë ODIHR-it konfirmuan dje se ende nuk është zhvilluar një bashkëbisedim mes palëve. Penalizimi i misionit është shkaktuar nga konflikti midis Kryeministrit Sali Berisha dhe britanikes Glover. Kjo e fundit deri më tani ka zhvilluar takime me kryetarët e partive të opozitës; Rama, Gjinushi, Meta, Veliaj, ndërsa nga e djathta është bërë publik një takim i saj me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Pak momente pas mbërritjes në Tiranë të Glover, qeveria shqiptare kërkoi largimin e saj. Arsyeja kishte të bënte me faktin se britanikja ishte në krye të ODIHR-it në kohën kur në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet e famshme të vitit 1996. Raporti kritik i hartuar nga ODIHR-i për atë proces duket se nuk ishte harruar nga Kryeministri Berisha, në atë kohë President i vendit. Për disa ditë u bllokua regjistrimi i vëzhguesve të ODIHR-it në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kreu i institucionit menaxhues të zgjedhjeve iu drejtua me një letër zonjës Glover, ku i shprehte rezervat e Tiranës zyrtare. Një kontestim i tillë nuk u prit aspak mirë nga faktori ndërkombëtar i akredituar në Tiranë. Më shumë se kaq, kancelaritë perëndimore reaguan publikisht duke kritikuar ashpër sjelljen e qeverisë shqiptare në raport me vëzhguesit. Zëdhënësi i ODIHR-it, Jens-Hagen Eschenbaecher, deklaroi qartë se asnjë qeveri nuk mund të diktonte kryesuesin e misionit, pasi kjo ishte e drejtë ekskluzive e ODIHR-it. Nëse diçka e tillë do të ndodhte, sqaroi ai, do të çonte në humbjen e pavarësisë së misionit vëzhgues, duke e shndërruar sakaq në precedent negativ. Pas shumë deklaratave kritike nga diplomatët perëndimorë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi të akreditojë misionin vëzhgues të ODIHR-it. Teksa kuptoi se nuk mund të largojë nga Shqipëria zonjën Glover, Kryeministri tentoi dublimin e këtij misioni. Qeveria shqiptare ka "lobuar" për të afruar sa më shumë vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Po sipas burimeve, preferencë e Tiranës zyrtare është austriaku Wolfgang Grossruck. Ai mendohet se do të vijë në kryeqytetin shqiptar javën e fundit para zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Me këtë lëvizje, Kryeministri Sali Berisha do të mund të lëshojë një mesazh se nuk ka probleme me OSBE-në si organizatë, por vetëm me kryesuesen e misionit të ODIHR-it. Grossruck njihet si një mbështetës i Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Në vijimësi, në çdo proces elektoral, përveç misionit të ODIHR-it ka ardhur edhe një numër përfaqësuesish nga Asambleja e OSBE-së dhe nga Këshilli i Evropës. Në rastin konkret, vullneti i palës shqiptare mund të çojë në shtimin e numrit të vëzhguesve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Në vizitën e para pak ditëve në Tiranë, presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së u takua me Kryeministrin, Kryeparlamentaren dhe ministrin e Jashtëm. Aty u premtua se në Shqipëri do të vijë një mision vëzhgues nga asambleja parlamentare.