E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta dhe Bushati: Vizat? Qeveria i zhgënjeu shqiptarët

Partia Socialiste reagoi dje pas "shuplakës" që Komisioni Evropian i dha Shqipërisë në përpjekjen për të liberalizuar regjimin e vizave. Përfaqësuesi i selisë rozë, kandidat për deputet në Tiranë, Ditmir Bushati, tha për mediat para godinës së Ministrisë së Jashtme se qeveria "Berisha" ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Në vitin 2005, tha Bushati, qeveria e Sali Berishës u premtoi shqiptarëve se do të udhëtonin pa viza në hapësirën Shengen që në vitin 2006, por raporti i fundit i Komisionit Evropian na e bën të qartë si drita e diellit se qeveria e tij ka dështuar në përmbushjen e standardeve. "Qeveria e Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm, ripranimin dhe menaxhimin e integruar të kufijve. Qeveria ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, kryesisht në lidhje me mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe komunitetit rom", u shpreh kandidati për deputet i PS-së, Bushati. Ai theksoi se kjo qeveri mban përgjegjësi direkte për klimën konfliktuale, paditë penale nga eksponentë të mazhorancës ndaj Prokurorisë së Përgjithshme në luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Kjo, sipas Bushatit, ka penalizuar kështu shqiptarët nga përfitimi i një regjimi pa viza, siç pritet të ndodhë me qytetarët maqedonas, serb dhe malazez. Pas evidentimit të dështimeve të kësaj qeverie, Bushati theksoi se "qeveria socialiste e pas 28 qershorit do të jetësojë ëndrrën evropiane të shqiptarëve për të lëvizur pa viza në hapësirën Shengen brenda vitit 2010, duke përmbushur me rigorozitet të gjitha standardet. Lëvizja e lirë brenda hapësirës Shengen do t‘u krijojë mundësi të jashtëzakonshme studentëve dhe kërkuesve shqiptarë për të përfituar nga programet e shkëmbimit me universitetet evropiane; do t‘u krijojë mundësi sipërmarrësve shqiptarë të eksplorojnë tregun rajonal dhe atë evropianë, duke konkurruar denjësisht me shërbimet e tyre". Sakaq, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e cilësoi gjithashtu dështim të qeverisë "Berisha" pamundësinë e liberalizmit të vizave për shqiptarët. "BE-ja ka standarde të qarta. Edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, standardet që duhen plotësuar janë paralajmëruar me kohë. Nuk ka goditje më të qartë për mënyrën klienteliste se si është mësuar të punojë Berisha, sesa përgjigjja e BE-së, që është çështje standardesh dhe jo çështje lobingjesh politike, apo promovim interesash korruptive, sikurse nuk kanë munguar rastet e tilla me elementë edhe të komunitetit ndërkombëtar", nënvizoi Meta. Ai garantoi se nëse më 28 qershor shqiptarët do ta zgjedhin alternativën e tij, brenda një viti do të plotësohen të gjitha standardet për liberalizimin e plotë të vizave mes Shqipërisë dhe BE-së dhe deri në fund të këtij viti do të hiqen vizat me të gjitha vendet e rajonit. Çështja e liberalizimit të vizave ishte objekt i prononcimit të djeshëm edhe për ish-ministrin e Jashtëm, Paskal Milo. Ai theksoi se liberalizmi i vizave nuk është një akt i vetëm apo shprehje e vullnetit politik të një partie, aq më pak një premtim si ato që u bën Sali Berisha qytetarëve për të liberalizuar regjimin e vizave brenda vitit 2009. Për liberalizmin e vizave, tha Milo, Shqipëria duhet të plotësojë në radhë të parë disa standarde, në plotësimin e të cilave, siç u theksua edhe në qëndrimet më të fundit të Brukselit para dy ditëve, Shqipëria ka ende mjaft mangësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›