Olldashi: Dhamë fonde edhe për bashkitë e majta
Ministri i Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, kërkoi dje nga qyteti i Fierit mandatin e dytë për Partinë Demokratike. Ai foli për rritjen e pagave dhe investimet e 4 viteve qeverisje. Sipas tij, pavarësisht se komunat Topojë dhe Qendër në këtë rreth drejtohen nga socialistët, të djathtët nuk i kanë kursyer fondet. Ministri foli dhe për vendimin e qeverisë për të rritur pagat dhe pensionet më 1 maj. "Ju premtuam se do dyfishojmë rrogat dhe e bëmë. Atëherë e kemi ne të drejtën që të themi që kemi marrë një angazhim përpara mësuesve të këtij vendi, si njerëzit që përgatisin brezin e ri dhe e kemi mbajtur këtë premtim", tha Olldashi. Ministri u fokusua edhe në investimet në infrastrukturë, ku përmendi 2.8 miliardë dollarë në krahasim me 110 milionë të socialistëve. Ministri i Transporteve, së bashku me ekipin e tij, ka bërë një bilanc të premtimeve të qeverisë në 2005-ën dhe platformën e re të së djathtës për të qeverisur katër vitet e ardhshme.