Milo: Duhet të ndahemi nga qeveria e familjes Berisha
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, zhvilloi takime elektorale në Novoselë të Vlorës. Kreu i PDS-së është pritur nga militantë dhe simpatizantë të kësaj partie. Gjatë fjalës së tij, Milo theksoi se Novosela është një prej nëndegëve më të mira. "Novosela jo pa qëllim është zgjedhur prej nesh këtu një nga bastionet tona. Nuk është zgjedhur rastësisht Novosela, për të hapur edhe fushatën elektorale sot këtu", u shpreh Milo. Sipas tij, është një mesazh që ne duam t‘i japim popullit të kësaj komune të mrekullueshme, që përtej atyre zhgënjimeve që ka pasur deri tani, të jetë e bindur se Demokracia Sociale është një forcë politike serioze që di ta mbajë fjalën, që di ta kthejë atë në realitet, që në programin e saj elektoral ta bëjë nesër politika konkrete e dobiprurëse për të gjithë njerëzit e thjeshtë dhe të varfër të kësaj krahine", nënvizoi Milo. Ai kërkoi nga banorët e Novoselës që të votojnë koalicionin e majtë në zgjedhjet e 28 qershorit për t‘u ndarë njëherë e mirë nga qeveria e familjes Berisha. Sipas Milos, tashmë ka ardhur koha ta ndryshojmë këtë qeverisje për të mirë të fëmijëve dhe të ardhmes së vendit.