E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamenice, po zhduken gjurmet e Tumes ilire

10/12/2004  Kamenicë,

po zhduken gjurmët e Tumës ilire

Tuma ilire e Kamenicës rrezikon të zhdukë gjurmët, duke u mbuluar me dhera për shkak të shirave të kohëve të fundit; pse ky monument i rrallë kulturor në Ballkan nuk kthehet në muze natyror

Vendvarrimi më i famshëm ilir në gjithë rajonin e Ballkanit, i njohur në termin arkeologjik Tuma ilire e Kamenicës, po mbushet me ujë.

Gjurma e varrit më të madh antik po rrezikon të zhduket. Justifikimi institucional vjen menjëherë duke paraqitur si argument shirat e shumtë të ditëve të fundit, ku rrjedhja e ujit është shoqëruar me rrëshqitjen e tokës, që ka filluar të mbushë gropën masive të kësaj Tume. “Strukturat me gurë të varreve të hershme ilire, që i përkasin periudhave prehistorike, sipas tij, jo vetëm mund të prishen nga vërshimi i rrëmbyer i ujërave, por edhe të mbulohen gradualisht, duke zhdukur gjurmët e Tumës”, ka shpjeguar drejtori i muzeut arkeologjik të Korçës, Skënder Aliu.

Duke u konsideruar si një nga vlerat natyrore ndër më të rrallat, Tuma e Kamenicës nuk përfundon rastësisht në këtë gjendje. Ky monument kulturor, duke pasur gjithë gjasat për t’u shndërruar sipas specialistëve në një muze natyror, ka mbetur pezull nga pushteti lokal.

Arkeologët ia hedhin barrën vendorëve, për shkak se aty akoma nuk është zgjidhur problemi i pronësisë së tokës. Pikërisht ky handikap përbën dhe pengesën kryesore që kompetencat t’i kalojnë tërësisht institucioneve të arkeologjisë, për të zbatuar projektin e muzeut natyror. "Ky monument kulturor mund të shpëtohet dhe të shndërrohet në një muze, vetëm në rast se institucionet e pushtetit lokal ndërhyjnë sa më shpejt për të zgjidhur çështjen e pronësisë së tokës, që përbën pengesën e vetme për projektin e muzeut natyror", thotë arkeologu Aliu.

Tuma ilire e Kamenicës, duke u vlerësuar me gjithë trashëgiminë e saj, është konsideruar nga specialistët si pikë mjaft e rëndësishme dhe një mundësi e madhe për zhvillimin rajonal të Korçës. Kjo do të ndodhë nëse rruga për te Tuma do të rrihet prej vizitorëve, duke e kthyer këtë vend edhe në një monument turistik.

Me punimet e kryera në pesë vitet e fundit, në Tumën e Kamenicës janë zbuluar objekte të rëndësishme arkeologjike, që e bëjnë këtë monument nga më të veçantët, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Deri tani, në Tumë janë zbuluar mbi 300 varre antike, por zbulimi i skeletit të gruas ilire me fëmijën në bark është cilësuar si ndër më të rrallat dhe unikalet. Ky monument, sipas arkeologut Lorenc Bejko, reflekton në mënyrë më të plotë një pjesë të jetës shpirtërore të komuniteteve të atëhershme të kulturës materiale të ilirëve, “sepse i shoqëronte të vdekurit me një takëm mortor, që do t’u shërbente sipas asaj kohe në jetën e përtejme”. Ekspeditat arkeologjike në Tumën ilire të Kamenicës kanë vazhduar për tre vjet me radhë nën drejtimin e dr.Lorenc Bejkos dhe bashkëshortes së tij italiane, Maria Grazia Amore, të organizuara nga Qendra Ndërkombëtare për Arkeologjinë Shqiptare. Një kontribut të veçantë në fazën e parë studimore të skeleteve të gjetura në Tumën e Kamenicës kanë dhënë specialistë antropologë amerikanë dhe britanikë.

Përgatiti: V.Murati

Unikale zbulimi i skeletit të gruas me fëmijën në bark

Jo më shumë se një vit më parë, në Tumën ilire të Kamenicës, pranë qytetit të Korçës, është zbulimi më i bujshëm, gjetja e skeletit të një gruaje së bashku me fëmijën e saj në bark. Arkeologët mbajnë mend se kjo ka qenë befasia më e madhe gjatë gërmimeve në këtë Tumë, të cilët kanë mbetur të shtangur nga zbulimi i rrallë. Kjo ka qenë një ngjarje ende e padëgjuar në Shqipëri, që një grua ilire të jetë varrosur së bashku me fëmijën në bark. Madje, antropologu amerikan Tod Renten, duke bërë të njohur këtë zbulim nga ekrani i një televizioni lokal, e pati cilësuar këtë zbulim tepër të veçantë dhe me vlera të padiskutueshme arkeologjike.

“Ishte diçka që na habiti, një varr i një gruaje të re dhe brenda skeletit të saj u gjend edhe skeleti i një fetusi prej fëmije, me eshtra të vogla”, ka thënë arkeologu amerikan.

Ndërsa hipoteza për vdekjen e gruas në këtë gjendje, mendohet të ketë ndodhur në muajin e fundit të shtatzënisë. Versioni i antropologut amerikan ka qenë se gruaja ilire ka kaluar një lindje të vështirë, ose ka qenë e sëmurë.

Sipas arkeologëve tanë, gruaja e gjetur në varr së bashku me fëmijën, mendohet të ketë qenë rreth 20 vjeçe dhe nga studimet paraprake del se mund të ketë vdekur gati 3 mijë vjet para erës së re.

Zbulime të reja arkeologjike në Kolonjë

Zbulime të reja pasurojnë hartën arkeologjike të rrethit të Kolonjës, në të cilin janë zbuluar objekte të ndryshme, që provojnë lashtësinë e popullimit të kësaj zone.

Tri pika të rëndësishme arkeologjike, ato të Perasit, Gostivisht-Vodicës dhe të Shtikës, veçon si zbulime të reja gjatë këtij viti drejtori i muzeut arkeologjik të Korçës, prof.Skënder Aliu. Sipas tij, në Peras, pranë fshatit Gostivisht, janë gjetur gjurmë të një vendbanimi të hershëm dhe objektet e një varri, që mendohet se i përkasin periudhës qytetare të shekujve V-IV para erës sonë. Një mur strategjik është zbuluar gjithashtu në faqen e dy kodrave pranë fshtrave Gostivisht e Vodicë, në një vend të

njohur me emrin "Gorricat e Blushit".

Arkeologu Aliu thotë se "ky mur strategjik, i njohur nga vendasit si ‘porta e hekurit’, i përket një kalaje të ndërtuar në shekujt VIII-VII para erës sonë". Si pikë tjetër të rëndësishme arkeologjike, ai përmend atë të fshatit Shtikë, ku në një terren të ndërmjetëm me fshatin Bezhan është zbuluar në kodër një varr i tipit sarkofag, që mendohet se i përket shtresave të larta skllavopronare të shekujve I-III të erës sonë.

Filmi i Mevlan Shanajt vlerësohet në Nju-Jork

Filmi artistik me metrazh të gjatë "Lule të kuqe, lule të zeza" i regjisorit Mevlan Shanaj (Artist i Merituar), u vlerësua me çmimin "Filmi më i mirë artistik" në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur në Nju-Jork (SHBA). Këtë e bëri të ditur regjisori dhe producenti i filmit, Mevlan Shanaj.

Një prodhim tërësisht shqiptar, filmi i vendos ngjarjet në disa nga fshatrat e qytetit të Gjirokastrës. Skenari i Natasha Lakos trajton tronditjet shpirtërore, sociale dhe demografike të banorëve të zonave të thella të Shqipërisë së Jugut pas viteve ‘90-të. Filmi jep një mesazh bashkëkohor dhe universal, atë të të ruajturit të jetës, sipas skenaristes Natasha Lako. Në rolet kryesore interpretojnë Mevlan Shanaj, Yllka Mujo,

Elia Zaharia, drejtor fotografie i filmit është Afrim Spahiu. Filmi përfaqësoi Shqipërinë në këtë konkurrim të rëndësishëm ndërkombëtar, me titullin "Black flower" (Lule të zeza). Festivali Ndërkombëtar i Pavarur i Filmit dhe Videos, i krijuar në vitin 1993, është një nga festivalet më të mëdhenj të filmit në botë. Çdo edicion shfaq rreth 300 filma nga e gjithë bota, duke përfshirë premiera botërore, filma me metrazh të shkurtër, dokumentarë dhe animacione.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›